Ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh se nuk pranon sjelljet prej gurvenatorje nga Ambasadorja Yuri Kim, pasi sipas tij Shqipëria është një shtet sovran dhe kush nuk sillet në mënyrë të tillë ofendon popullin.
Më tej është shprehur se mbështetja që Kim i ka dhënë Kryeministrit Edi Rama nuk i ka bërë mirë Shqipërisë dhe është keqpërdorur nga qeveria kundër opozitës.
“Me Kim nuk pranoj kurrë sjellje prej gurvenatoreje. Besoj se një vend i lirë është një vend sovran. Ata që sillen si në një vend josovran, fyejnë një popull dhe një vend të tërë. Kurse probleme të tjera, pse anëson me një parti politike, është zgjedhje ka arsyet e veta dhe nuk më bënë përshtypje. E qartë është që ka bërë zgjedhje të mbështetjes së Edi Ramës dhe të partisë në pushtet, por e vërteta është që kjo mbështetje prej kaq vitesh nuk e ka bërë Shqipërinë më mirë. Është keqpërdorur nga qeveria, gjithnjë kundër opozitës, për të lartësuar murin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar”, tha Berisha.