Zbulohet kush kërkon të blejë Alpha Bank

0

Mesi i muajit korrik ishte afati i shprehjes së interesit dhe paraqitjes së ofertave indikative nga subjektet e interesuara për blerjen e Alpha Bank-Shqipëri.

Mësohet se subjektet që kanë kërkuar zyrtarisht blerjen e Alpha Bank-Shqipëri, janë hungarezët e OTP, bullgarët e Bankës së Parë të Investimeve (Fibank), sllovenët e Nova Ljubjanska Banka (NLB) dhe dy bankat shqiptare Tirana Bank dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank).

Sipas Monitor, perceptimi mes subjekteve në garë është se OTP mund të jetë favorite në këtë proces, për shkak të disponibilitetit të madh për të investuar dhe strategjisë agresive të zgjerimit në rajon që kanë ndërmarrë vitet e fundit.

Veç konkurrentëve të mësipërm, ekziston edhe një skenar surprizues: Alpha Bank mund të ngelet përsëri greke, për shkak të presionit politik që ekziston për mosdaljen e plotë të kapitalit grek nga tregu bankar shqiptar.

Po ashtu Monitor, shkruan se Alpha Bank Albania mund të blihet nga vetë qeveria greke, përmes një institucioni apo fondi financiar të kontrolluar prej saj. Në këtë kuptim, një alternativë mund të jetë që Alpha të blihet prej bankës së kontrolluar nga shteti grek, Banka Kombëtare e Greqisë (NBG Bank).

Aksioneri më i madh i NBG është fondi publik që u ngrit në vitin 2010 për shpëtimin e bankave greke (Hellenic Financial Stability Fund), që zotëron 40.39% të aksioneve të bankës. Kthimi i NBG në Shqipëri do të ishte një zhvillim tejet i papritur, tre vjet pasi banka greke shiti filialin e saj shqiptar te ABI Bank.

Në fund të marsit 2021, Alpha Bank – Shqipëri zotëronte 4.9% të tregut bankar shqiptar, me një total aktivesh prej rreth 79 miliardë lekësh. Vitin e kaluar, Alpha Bank – Shqipëri arriti një fitim prej 218 milionë lekësh dhe një kthim nga kapitali në nivelin 6.34%. Fitimi i vitit 2020 i ka ulur disi humbjet e akumuluara të bankës pranë nivelit të 3.1 miliardë lekëve. Sipas të dhënave më të fundit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, kapitali aksioner neto i Alpha Bank në fund të marsit 2021 ishte rreth 9.1 miliardë lekë.

Artikulli i mëparshëmE tmerrshme! Sulm me armë në një parking në Gjermani, ka të plagosur
Artikulli i radhësMark Zuckerberg konfirmon se Facebook do të prezantojë syzet inteligjente Ray-Ban