Uashingtoni dhe Londra akuzojnë Iranin për sulmin e anijes çisternë

0
Uashingtoni dhe Londra akuzojnë Iranin për sulmin e anijes

Uashingtoni dhe Londra kanë akuzuar Iranin për sulmin vdekjeprurës me dron që la dy të vdekur në bordin e një anije çisternë pranë brigjeve të Omanit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e njoftoi qëndrimin përmes një deklarate të publikuar të dielën. Sekretari Blinken shprehet se: “Pas rishikimit të informacionit në dispozicion, jemi të sigurt se Irani e kreu këtë sulm, i cili vrau dy njerëz të pafajshëm, duke përdorur eksploziv me dronë, një aftësi vdekjeprurëse që po e përdor gjithnjë e më shumë në të gjithë rajonin.”

Kryediplomati amerikan shtoi se “nuk kishte asnjë justifikim për këtë sulm, i cili ndjek një model sulmesh dhe veprimesh të tjera luftarake”.

Duke e quajtur atë një “sulm të paligjshëm dhe të rëndë”, Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se Londra dhe aleatët e saj planifikuan një përgjigje të koordinuar mbi sulmin të enjten mbrëma ndaj anijes çisternë të naftës Mercer Street. Reagimi i Uashingtonit dhe Londrës vjen pas akuzave të drejtpërdrejta të kryeministrit izraelit për Iranin. Sulmi me dron vrau dy pjestarë të ekuipazhit nga Mbretëria e Bashkuar dhe Rumania.

Marina amerikane tha se aeroplanmbajtësja me energji bërthamore USS Ronald Reagan dhe destrojeri USS Mitscher shoqëruan anijen çisternë drejt një porti të sigurtë.

Irani ka thënë se nuk ka gisht në sulmin vdekjeprurës ndaj anijes çisternë./VOA

Artikulli i mëparshëmYuri Kim preferon Shqipërinë, zbulohet se ku po i kalon pushimet (FOTO)
Artikulli i radhësE qëlloi disa herë në sy të fëmijës, ky është vrasësi i 27-vjeçares shqiptare në SHBA (FOTO+EMRI)