Ka një aksiomë të mirënjohur që spjegon përplasjen e një politikani me një intelektual në arenën publike: Sipas saj, i pari tenton të bindë, ndërsa i dyti kërkon të ketë të drejtë. Pra e përkthyer më thjeshtë, qëllimi i njeriut të politikës është që ti mbushë mendjen një shumice, qoftë dhe duke përdorur gënjeshtra, ndërsa njeriut të mendimit i intereson vetëm e verteta.
Pak a shumë ky dyluftim u zhvillua të enjten në mbrëmje, në Top Story, mes Lulzim Bashës dhe Fatos Lubonjës, lidhur me ngjarjet që pasuan vendimin për përjashtimin e Sali Berishës.
Nga ajo që u pa Basha nuk arriti ti jepte përgjigje shteruese asnjërës prej pikpyetjeve që u ngritën.
Tezat e publicistit dhe shkrimtarit ishin një sintetizim i dilemave që të gjithë shtrojnë për kryedemokratin. E para: Pse ai ndërmori një vendim personal me pretekstin për të ruajtur të bashkuar partinë dhe dështoi duke e përçarë më shumë se kushdo tjetër atë. Përgjigjja që mori ishte qesharake, për të gjithë ata që e shohin realitetin në sy. Basha e mohoi gjurulldinë e shkaktuar në PD.
E dyta, lidhej me një çështje që është shndërruar në kryetemën e debatit publik në radhët e opozitës, atë se deri në ç’pikë i duhet thënë ‘po” pa kushte SHBA-së. Lubonja mbrojti tezën se misioni i një opozitari, sot, në këtë vend, është që ti kundërvihet jo vetëm qeverisë, por diplomatëve amerikanë që në shumë raste janë reshtuar padrejtësisht në mbrojtje të pushtetit. Në princip Basha e pranoi këtë qasje, ai tregoi raste se kur i ka thënë jo ambasadorëve, por u mbrojt me faktin se këtë rrefuzim e ka ndërmarrë kur ka qenë në pikpyetje interesi i shqiptarëve apo demokratëve dhe se s’do ta bënte kurrë për interesa pesonale të tijat apo të Berishës.
Por alibia e kryedemokratit ishte fare lehtë e demontueshme. Me asimetrinë që treguan ndaj goditjes së korrupsionit të tetë viteve më parë, duke mos thënë asnjë fajlë kundër këtij të sotmit, me kohën menjëherë pas zgjedhjeve kur goditën Berishën, me mënyrën arrogante sesi shantazhuan për përjashtimin e tij, diplomatët amerikanë e shndërruan ‘non grata-n”, nga një problem vetjak, në një çështje të të gjithë shoqërisë dhe mbi të gjitha të opozitës. Por për këtë Basha nuk arriti të jepte përgjigje. Pikpyetja se përse ndonjëherë ka arritur ti thotë jo edhe diplomatëve më të lartë të SHBA-së, ndërsa në shtator u gjunjëzua përpara tyre mbeti sërish enigmë.
E treta, që ka lidhje me pikpyetjen e mësipërme ka të bëjë me mënyrën se si kryedemokrati e mori atë vendim. Për qasjen prej intelektuali të Lubonjës, është i paperceptueshëm qëndrimi se ti e vlerëson dikë, por duhet ta përjashtosh atë sepse kështu të ka urdhëruar superfuqia.
Edhe këtu Basha dështoi në përgjigje. Ndonëse shkrimtari dhe publicisti këmbënguli disa herë për të kuptuar logjikën dhe argumentat me të cilat, Ricker apo Yuri Kim e kishin bindur, ai u mjaftua me një përshkrim rutinë për mënyrën se si procedohet deri tek ‘gon grata”.
Shefi ‘de facto” i PD-së nuk ia doli të shkonte më larg se alibitë bajate dhe propagandistike të mbrojtësve të tij që flasin për partneritetin strategjik të demokratëve me SHBA-në.
Në përfundim, pas afro dy orësh, nuk qe e zorshme të kuptoje se intelektuali e përmbushi misionin e tij në kërkim të së drejtës, ndërsa politikani e humbi synimin për të bindur, qoftë edhe përmes gënjeshtrës. Nga përballja me Fatos Lubonjën, Lulzim Basha doli më i vogël dhe më i palegjitimuar në zgjedhjet që ka bërë. Pas dy orësh live, imazhi i tij u përafrua më tepër me vlerat e veta reale, duke dëshmuar edhe njëherë, se sa të dobishme për publikun janë ato raste të ralla, kur farsa e pyetjeve të gatshme i lë vendin ballafaqimit me të vërtetën. /lapsi.al