Deputetja Flutura Açka, në fjalën e saj në Kuvend, ka ka zgjedhur që fjalimin e saj në Kuvend ta mbajë në formën e një letre drejtuar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Açka iu drejtua zyrtares së lartë europiane, e cila do të jetë nesër në Tiranë në samitin që do të mbahet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, duke i bërë me dije se “Prestige Resort” është shembur vetëm një ditë para ardhjes së saj në Shqipëri dhe ka shtuar se arsyeja e një akti të tillë nga qeveria, ka qenë fakti që nuk mbështet linjën editoriale që kërkohet nga qeveria.
Ajo u shpreh se kryeministri Rama po përdor samitin dhe ardhjen e Von der Leyen, për të ulur efektin e këtij turpi qeveritar.
“E pra, dje, një ditë para se të vije ti, u shemb njëra këmbë e urës ku mbahet një grup i njohur mediatik shqiptar vetëm se nuk hedh sheqer në sazet e përditshme qeveritare. Dhe madje, po e përdor ardhjen tënde, për të ulur efektin e këtij turpi qeveritar. As ligje, as rregulla, as gjykatë nuk ndihmon të qetësojmë malcimet tona antieuropiane të këtij lloji”, tha Açka.
Fjala në formë letre e deputetësh Flutura Açka:
E dashur Ursula von der Leyen
Mirë se të vini nesër, në një ditë historike për shqiptarët. Mirë se të vini nesër, edhe kur Shqipëria të jetë Europë politike, jo vetëm gjeografike.
Përtej mikëpritjes kanunore për të cilën kemi arsye të krenohemi, ne e dimë se nuk vini vetëm ju fizikisht, por vijnë idetë tuaja, edhe ai optimizëm që dikur e barte, edhe pse me naivitet, Kandidi i Volterit, në shëtitjen e gjatë nëpër Europë, duke bërë thirrje se “duhet ta kultivojmë kopshtin tonë.„
Idetë e dizenjuan Europën. Idetë e ngritën Europën. Idetë do ta mbajnë Europën. Idetë e atyre njerëzve të mëdhej, që prej probabilitetit më së shumti vijnë nga popuj të mëdhenj. Dhe ne nuk hyjmë aty.
Kjo nuk na dëshpëron, kemi patur edhe ne disa njerëz të mëdhenj, prej të cilëve jemi ende në këmbë, të cilët na kanë këshillluar si ta ruajmë identitetin, si të jemi një edhe pas skizmash të mëdha si shqiptarë kësaj ane dhe asaj ane të kufirit ku rrojnë shqiptarët në Ballkan.
Asnjëherë nuk kemi qenë më të fortë dhe më bashkë si shqiptarë, aq sa ju kemi vënë në punë të na futni një a dy shtete në Europë, të ndarë a bashkë. Në hall jeni, por kam ndjesinë se ne do ta zgjidhim edhe më shpejt se zgjidhja politike që mund të vijë nga idetë. Ju do t’ju duhet vetëm ta protokolloni ndreqjen e asaj që botërisht është quajtur si skizma europiane e shqiptareve.
Ne nuk do të bëjmë në këtë histori europiane asnjë trafik moral, as politik, as njerezor, as patriotik. Sikurse Volteri që ju përmenda më lart, edhe ne, kur të na hapni portën, do të themi në doganën tuaj ato që tha Volteri tek hynte fshehurazi në Francë: Kam kontrabandë vetëm personin tim, pra trupin dhe shpirtin tim.
Për Ju, dhe kolegët tuaj, samiti i nesërm është në rutinën e punës suaj për të bërë një Europë më të bukur, ne na mbetet vetëm të përligjim até që ju e dini, se ne jemi ndër kombet më proeuropianë të mbetur jashtë këtij atdheu politik që quhet Europë, sepse gjeografikisht, moralisht, ideologjikish dhe në përmbushje të të gjitha paradigmave që ka shpikur njeriu, ne jemi europianë.
Unë që ju shkruaj jam mes njerëzve më pak politikë që ka ky Parlament, por skajmërisht e angazhuar politikisht me përgjegësinë që kam në të gjitha vektorët e jetës sime. Jo se jam apolitike, jo se dua të jem, apo se më detyrojnë të jem. Jo. Thjesht kam kuptuar se në këtë Shqipëri, e kam hasur shumë shpesh atë të cilën Makiaveli e la me sigurinë klinike se “Politika nuk ka lidhje me moralin”. Në këtë parlament ndonjëherë nuk bëhet politikë, por retorikë. E kam fjalën për politikën e mirë, që i sjell begati qytetarëve të vet.
Qytetari në këtë vend ndonjëherë është send, Ursulë, është numër amze, është dosje e pluhurosur gjykate, është orendi për demokracinë, një votë e konvertuar në para, jo bashkëpunëtor i politikës për të bërë Shqipërinë më të mirë. Po t’i them këto sot, por nesër mund të akuzohem se po e shaj Shqipërinë në gjuhë të huaj. A është më mirë të shaj unë në gjuhë të huaj apo të hesht kur i vjedhin shqip shqiptarët?
Ata që ju shfaqen ndonjëherë si shteti i shqiptarëve, si qeveritarë shqiptarë, janë shtet-pushteti i ardhur me vjedhje votash dhe që drejton me vjedhje vullnetesh çdo ditë. Këtë vrajë antieuropiane, do të na duhet ta shërojmë e ta bëjmë europiane.
Mua, që po ju flas, ma kujtojnë shpesh që jam grua, pra që jam më e dobët, që jam më e pamundur. Kjo, sepse një ndër tre gra në këtë vend dhunohet dhe nuk mbrohet aq sa duhet nga shteti. T’ia hapësh kafkën një gruaje këtu, është zeja më e shpeshtë e shitoreve tona morale.
Ju keni vendosur të flisni për emigrimin dhe mundësinë e kthimit të atyre shqiptarëve që ikin përditë nga sytë këmbët. Plot 1 milion shqiptarë e kanë braktisur atdheun e tyre në dhjetë vitet e fundit, me letra e pa letra. E pra, erozion më të madh demokrafik kjo Shqipëri nuk ka parë në tri dekadat e fundit.
Por të ikurit e dinë, ju nuk i keni shtruar flokëse për ta, por ofroni politikat e vendeve tuaja që garantojnë siguri, së paku, dinjitet të thjeshtë njerëzor. Ky është një ankth antieuropian që ne na duhet ta shërojmë.
Ju do të flisni për terrorizmin, për sigurinë, për shtetin. Por ju duhet të më ndihmoni mua të parën të çlirohem nga patronazhisti im dhe mbi një milion e gjysëm shqiptarë te denjë për të vendosur për qeverisjen e tyre, nga paranoja e patronazhistëve të tyre, nga imituesit më të tmerrshëm të një aparati që e kontrolloi frymën e ketij populli për gati gjysmë shekulli.
Ju do të flisni për terrorismin, por hidhni sytë nga avioni të shihni terrorin territorial të tokës sonë, helmimin që i bëjmë atdheut. Pa ligje urbanistike, pa dhimbje mjedisore, pa kurrfarë shqyrtimi për detyrimin ndaj brezave. Bëni një xhiro në qendër dhe i shihni se si Ndrageta na bën sehir nga katet e larta të kullave tona nacionaliste.
Ju do të flisni për luftën në Ukrainë, por këta e përdorën luftën për të ngritur borde antiligjore, për t’i ngritur çmimet e naftës dhe për t’i kërcënuar qytetarët shqiptarë me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, për të mos folur për ujin, edhe pse shqipëria është një nga vendet më të bekuara me burime hidrike në Ballkan.
Flisni, ju lutem për lirinë e medias, sepse aty jemi në bisht të historisë. Për gazetarët e keqpaguar, të pambrojtur, të fyer me hargalisje nga pushetarët, të cilët në këta tridhjetë kurrë nuk dhanë llogari. E pra, dje, një ditë para se të vije ti, u shemb njëra këmbë e urës ku mbahet një grup i njohur mediatik shqiptar vetëm se nuk hedh sheqer në sazet e përditshme qeveritare. Dhe madje, po e përdor ardhjen tënde, për të ulur efektin e këtij turpi qeveritar. As ligje, as rregulla, as gjykatë nuk ndihmon të qetësojmë malcimet tona antieuropiane të këtij lloji.
Po e mbyll këtu, duke të kujtuar shprehjen e Martin Luther Kingurt, se ne “nuk e bëjmë historinë, por jemi të bërë nga historia.„ Dhe kjo mbase është piskama me të cilën dua ta mbyll këtë fjalë e të ftoj edhe kolegët e mi sonte: Ejani të mos bëjmë histori, por të bëhemi nga historia, që të kujtohemi (për mirë) nga historia.