Grupi hetimor ka ushtruar kontrolle në shtëpinë e ish-zyrtares Alda Klosi, që u vodh nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila bashkë me të birin Havierin mori mbi 120 mijë euro dhe një sasi të konsiderueshme florinjsh. Kontrolli është bërë ditën e djeshme me vendim gjykate, por nuk dihet ende çfarë mund të jetë gjetur.
Vetë Klosi është marrë sot në pyetje. Ajo është pyetur për mbi 400 mijë eurot e gjetura në tubin e aspiratorit të shtëpisë së pastrueses, por ka mohuar të ketë lidhje me ato para. Klosi është shprehur se të sajat janë vetëm 120 mijë eurot e gjetura në fillim dhe disa prej bizhuterive.
Deri në këto momente nuk ka asnjë kallëzim për më shumë se 400 mijë eurot e gjetura në tubin e aspirimit të shtëpisë së saj, të cilat kanë mbetur ‘jetim’ në Prokurori. Çdo ditë, paraqiten njerëz që kanë pasur marrëdhënie pune me Dobin, por identifikojnë ndonjë bizhuteri mes koleksionit dhe largohen. Për paratë, askush s’di asgjë!
Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por njëjtë si zyrtarët, nuk dinë të thonë se kujt i përkasin 400 mijë eurot.