Pengesa e radhës e Lazios në Kupë e Italisë është Bologna me të cilën do të përballet në fazën e 1/8-ve. Në prag të kësaj sfide është ndalur për të dhënë përshtypjet e tij mbi gjendjen e skuadrës edhe drejtori sportiv i kryeqytetasve, Igli Tare.
“Ky është një turne që ne e duam sepse kemi pasur kënaqësinë për ta fituar. Është një objektiv sezonal dhe kërkojmë ta nderojmë në maksimum. Pas sfidës me Sassuolon, skuadra ka gjetur rrugën e duhur, kërkojmë të kemi vazhdimësi”, u shpreh fillimisht Tare.
Më pas ish-bomberi i Kombëtares shqiptare tregoi edhe versionin e tij se çfarë i mungon Lazios për të bërë hapin kualitativ. “Nuk është një problem i këtij sezoni, por i viteve të fundit.
Kemi sjellë një trajner me eksperiencë si Sarri dhe mënyra e tij se si e motivon skuadrën nevojitet për të bërë këtë hap cilësor që po na mungon. Nuk është një objektiv i thjeshtë, sezonin e kaluar e mbyllëm në vendin e pestë. Këtë vit ndodheshim në vendin e dytë, por më pas ramë. Na mungon edhe pak, vazhdimësia është pika kyçe”, u shpreh Tare.