Eurostat: Shqipëria 1.2 miliardë euro remitanca vitin e kaluar, sa 9.2% e prodhimit kombëtar

0

Të dhënat e Eurostat tregojnë se vlera e remitancave që hynë në Shqipëri vitin e kaluar arriti nivelin më të lartë të dekadës së fundit.

Sipas Eurostat, remitancat arritën vlerën e më shumë se 1.2 miliardë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Vlera e raportuar nga Eurostat u referohet remitancave të matura si dërgesa apo transferta personale dhe të ardhurave të punonjësve nga puna jashtë vendit.

Punësimi jashtë vendit përfshin punësimin sezonal, atë afatshkurtër si dhe të ardhurat e punonjësve ndërkufitarë apo në distancë.

Megjithatë, Shqipëria është poshtë mesatares së rajonit të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket peshës që remitancat kanë kundrejt ekonomisë së vendit. Për vitin 2022, mesatarja e vlerës së remitancave kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte pranë nivelit të 10.5% (matur si mesatare e thjeshtë e raportit për 6 vendet e rajonit)

Të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se vendi me varësinë më të madhe nga remitancat në Rajon ngelet Kosova. Për vitin 2022, remitancat përbënin 17.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Vijon Mali i Zi, me 13.3%, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 10.2%. Shqipëria renditet në vendin e katërt, me një vlerë remitancash sa 9.2% e PBB-së së vendit.

Vijon me diferencë të ngushtë Serbia, në masën e 9% të PBB-së, ndërsa mbyll renditjen Maqedonia e Veriut, me 3.4% të PBB-së.

Vlerësohet se burimi kryesor i remitancave për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Rajonit janë vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat e Eurostat tregojnë që Bashkimi Europian është një burim shumë i madh dërgesash për vendet jashtë Unionit.

Vitin e kaluar, transfertat personale nga BE drejt vendeve jashtë BE-së arritën në më shumë se 43.5 miliardë euro, në rritje për të gjashtin vit radhazi vit radhazi, me 14% më shumë krahasuar me vitin 2021.

Vala e re e emigrimit e dekadës së fundit i ka dhënë shtysë një cikli të ri të rritjes të remitancave, që ngelen një burim i rëndësishëm për të ardhurat e familjeve shqiptare dhe një zë me peshë të konsiderueshme në bilancin e pagesave të vendit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e remitancave ka vazhduar edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2023. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve dhe të ardhurat nga puna arritën në 1.05 miliardë euro, në rritje me 16.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Monitor

Artikulli i mëparshëmBilanc tragjik në Gaza, ja sa ka shkuar numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite
Artikulli i radhësPër janar-gusht 2023 depistimet për kancerin e gjirit ranë 43% dhe të qafës së mitrës 32%