Ilir Beqaj “falet” në SPAK për fondet e BE/ Ja si manipulohej me faturat fiktive për shërbime të pakryera. Zbulohen fijet dhe skema me personazhet e njohura të humorit

0

Detaje të reja kanë dalë sa i takon hetimit ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe skemës që ai përdorte, për të cilën kanë nisur hetimet. Emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar se si u krijua skema përmes së cilës lëshoheshin fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC si shpenzime. Ata kishin krijuar një skemë në dukje të mprehtë, jashtë çdo lloj vigjilence, por kishin harruar se në fakt pikërisht në këtë periudhë të aktivitetit të tyre antiligjor, duhet të ishin më kurrë se çdo herë të padukshëm për ligjin, dhe për më tepër kur eprori i tyre ishte i rrethuar nga dara e SPAK dhe mban ende llogari të pambyllura me drejtësinë. Ashtu edhe Ilir Beqaj, dikur ministër i Shëndetësisë, po përballet me dy dosje, të nxehta, të dyshuara me natyrë korruptive, për të cilat Prokuroria e Posaçme e ka në hetim, dhe që për këtë arsye i është ndaluar edhe dalja jashtë Shqipërisë si edhe paraqitja përpara këtij organi deri në përfundimin e plotë të hetimit. Atëherë kur duhej që vartësit e tij në SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, që merret me monitorimin dhe zbatimin e programeve kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të Bashkimit Evropian, ku drejtor i përgjithshëm i emëruar direkt nga kryeministri ishte Ilir Beqaj, të ishin më të kujdesur qoftë edhe në shkeljet e tyre, duket se e kundërta ka ndodhur.

Këta vartës rezulton se në interes të shefit të tyre jo vetëm nuk janë treguar të tillë, por e kanë intensifikuar aktivitetin e tyre të dyshuar korruptiv, edhe gjatë kohës që drejtuesi i tyre është në hetim nga SPAK, për dy aferat e tjera të përfolura mitomane, atë të koncesionit miliona euro të ‘Sterilizimit’ dhe të ‘Check up’. Kjo, përmes një skeme të lëshimit të faturave fiktive, të cilat mesa duket zyrtarët e SASPAC, agjencisë së drejtuar nga Beqaj, kërkonin të mbulonin shpenzimet e pajustifikuara, por që me sa duket ishin kthyer në shpërdorime abuzive, që kishin dalë jashtë kontrollit. Abuzime, që në ethet e një hetimi pasuror që mund të ishte gjithëpërfshirës, të nisur nga SPAK, kishin detyruar zyrtarët e kësaj agjencie, por mesa duket edhe vetë drejtuesin e saj Ilir Beqaj, që shpërdorimin me fondet e BE-së, ti mbulonin duke krijuar fatura tatimore për aktivitete të paqena. Fatura të cilat rezulton se plotësoheshin nga një rreth miqsh të lidhur ngushtësisht me ish-ministrin Beqaj, por edhe me zyrtarët e oborrit të tij në SASPAC, njerëz të lidhur me biznesin apo që kishin krijuar Organizata Jo Fitimprurëse. Atyre u kërkohej në formën e një favori, të plotësonin këto fatura, që shkonin në shumën e mijëra eurove, për aktivitete të cilat në të vërtetë Agjencia nuk i kishte kryer.

Po çfarë ishte kjo skemë dhe si funksiononte?

Kush ishin zyrtarët e SASPAC të lidhur me këtë skemë dhe si ra Byroja Kombëtare e Hetimit në gjurmët e këtij organizimi, ku dyshohet se paratë shkonin në xhepat e zyrtarëve të SASPAC, dhe u faturoheshin qytetarëve europianë, të cilët këto fonde i kishin ofruar si ndihmë për Shqipërinë, nëpërmjet BE? Sipas hetimit të kryer nga SPAK, një nga personat kyç në këtë aferë del të jetë Ermal Kurtulaj, i cili kishte rolin e koordinatorit të programit EUSAIR Facility Point, një projekt strategjik i 9 partnerëve europianë në tetë vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Kurtulaj konsiderohej brenda SASPAC si njeriu i besuar i drejtuesit të kësaj agjencie, Ilir Beqaj, detyrë të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e mbante që nga viti 2021, pavarësisht se në kohën kur u emërua nga kryeministri Rama në krye të SASPAC, ai ishte marrë në hetim nga Prokuroria e Posaçme, për dy dosje të dyshuara korruptive. Personi nën hetim Ermal Kurtulaj, është i punësuar si koordinator i projektit Eusair Facility Point dhe dyshohet se gjatë veprimtarisë së tij si koordinator i këtij projekti ka kryer veprime të kundërligjshme si më poshtë: Nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare, duke paguar shërbime që nuk kryhen prej tyre. Duke vendosur vlera fiktive në faturime për qëllime të përfitimit material, si dhe është përfshirë në veprime korruptive për qëllime të përfitimit.

Roli i Kurtulaj

Por si arrinte Ermal Kurtulaj të krijonte fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC, si shpenzime? Cilat ishin bizneset me të cilët ai bashkëpunonte dhe u kërkonte këto ndere dhe në bazë të cilit favor, këto biznese apo OJF krijonin të tilla fatura pa u trembur se një ditë do të ndëshkoheshin nga kontrollet tatimore? Se si funksiononte kjo skemë mjafton të shikojmë mënyrën se si Kurtulaj ua kërkonte këto fatura bizneseve, që në fakt duket se ishin pjesë e tarafit të tyre ose më ngushtësisht ishin vetë bizneset që ata kishin në administrim, por duke i fshehur në emra të tjerë, të cilët thjesht sa u shërbenin qëllimeve të tyre. Këto biseda janë përgjuar edhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe që përkojnë me periudhën nga muaji gusht 2023 dhe më pas, pikërisht koha kur eprori i tij në SASPAC Ilir Beqaj, e kishte punën pisk me drejtësinë dhe ishte ndërkohë në hetim për dy afera të tjera të dyshuara korruptive.

Më datë 2 Gusht 2023, Ermal Kurtulaj rezulton se ka telefonuar shtetasin Genci Shurdho, ku i kërkon këtij të fundit t’i faturojë një pagesë prej rreth 35 200 Euro, për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer. Në këtë bisedë Ermali i kërkon Gencit të pyesë ekonomistin e vet dhe t’i kthejë përgjigje sa më shpejt. “Më duhet një përgjigje tani shpejt, ikën Iliri dhe duhet të firmos ca letra, prandaj po të them”. Nga kjo pjesë bisedë krijohet dyshimi se fatura do të jetë thjesht fiktive, me qëllim për të justifikuar shpenzimin e shumës në faturë, pra 35 200 Euro. Por kjo mesa duket nuk ka qenë fatura e vetme fiktive që Ermal Kurtulaj është përpjekur dhe ka mundur të prodhojë në muajin gusht, pasi nga kërkimet e kryera nga SPAK, pranë regjistrit të Tatimeve, rezulton se po në këtë muaj, kundrejt operatorit EusAir Facility Point, janë lëshuar edhe 8 fatura të tilla të ngjashme. Këtë herë nga kompania “Nine Services Int” me shuma që vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.

Lidhjet dhe pazaret

Por cila është lidhja e Ermal Kurtulaj me Ilir Beqajn? Dhe pse SPAK, ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se Kurtulaj është një prestanome i Beqaj në aktivitetet që ky i fundit ka në fushën e biznesit. Por, për të shkuar te kjo lidhje midis të dyve, pra drejtuesit të SASPAC, Ilir Beqaj dhe vartësit të tij brenda kësaj agjencie, në këtë rast Kurtulajt, SPAK i është dashur fillimisht të ndjekë makinën me të cilën ish-ministri i Shëndetësisë lëvizte së fundmi.

Automjet me të cilin Beqaj ishte paraqitur edhe në SPAK, edhe gjatë thirrjeve të tij, për t’u marrë në pyetje në lidhje me dy aferat ku mendohet se është përfshirë, atë të Sterilizimit dhe të Check Up-it. Nuhatje që mesa duket nuk doli edhe aq gabuar për hetuesit e SPAK. Të cilët shpejt kuptuan se pas makinës me të cilën Beqaj lëvizte, rrotulloheshin shumë interesa, të cilat ai vetë ishte përpjekur t’i mbante jashtë vëmendjes së ligjit. Siç ishte edhe fakti që makina në të vërtetë ishte në pronësi të Ermal Kurtulaj, njeriut të besuar të Ilir Beqaj, të cilin ky i fundit e përdorte si koperturë në aktivitetet e tij, më qëllim për të fshehur burimet e paligjshme të të ardhurave, që më pas ishin investuar në biznese të ndryshme. “Gjatë hetimeve ka rezultuar se Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë (SASPAC) Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur ky i fundit ka qenë ortak i shoqërisë Intech+. Duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikqyrës ka qenë vetë Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.  Po ashtu rezulton se Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme si brenda dhe jashtë vendit një automjet, i cili rezulton të jetë në pronësi të Ermal Kurtulaj, duke ngritur dyshime se ky automjet mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit”, thuhet në dosje.

Hetimet

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, automjeti me të cilin Beqaj është parë të lëvizë së fundmi, është blerë në shtator të vitit 2019, në kohën që ai vetë ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Automjet me të cilin Beqaj është parë shpesh të lëvizë edhe përgjatë vitit 2020, jashtë territorit të Shqipërisë, që në vazhdim ka ndryshuar targë, konkretisht më qershor të vitit 2022. Por ajo që do ta çonte SPAK drejt një investigimi më të hollësishëm, drejt këtij automjeti, që do të zbulonte më pas edhe marrëdhënien klienteliste që Ilir Beqaj kishte me Ermal Kurtulaj dhe do të nxirrte zbuluar bizneset që fshiheshin në emrin e të dyve, do të ishte pikërisht një gjobë. Këtë gjobë të cilën drejtuesi i automjetit me të cilin Beqaj lëvizte, e mori pikërisht për parkim të gabuar, në kohën që ish-ministri i Shëndetësisë ishte thirrur për t’u pyetur në SPAK, dhe pikërisht përpara kësaj godine dhe syve të vetë hetuesve, por edhe të medias së pranishme në atë moment, që dokumentuan ngjarjen. Pikërisht kjo makinë ‘Wolkswagen’ që shikoni edhe në foto. Që u bë pikënisja e një hetimi të ri, që dyshohet se mund të jetë një prej pasurive të shumta të fshehura nga ish-ministri Beqaj, që mund ta fundosë edhe njëherë atë vetë. “Nga kqyrja në sistemin E-Gjoba rezulton se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani.

Gjoba e fundit është vendosur më datë 12 Dhjetor 2023, në momentin kur automjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj, dhe ishte parkuar para SPAK”, thuhet në dosje. Pikërisht ndjekja e makinës dhe e aktivitetit të shoferit personal të Beqaj, çuan hetuesit edhe te disa nga bizneset, kryesisht në fushën e gastronomisë, të cilët më pas rezultuan se kishin krijuar fatura fiktive për llogari të SASPAC. Një nga këto emra ishte edhe Gazmend Haxhia, në dukje administrator i shoqërisë ‘Landways International’, i cili del se ka lëshuar një faturë fiktive prej 149 mijë euro kundrejt Eusair, ku koordinator ishte Ermal Kurtulaj. Por që SPAK beson se në të vërtetë administrator i kësaj shoqërie është Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj. “Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt EUSAIR është lëshuar për shoqërinë tregtare, ‘Landways International’, me përshkrimin “Service contract-organization of the’ fatura 149 809 21 Euro.  Kjo shoqëri ka administrator shtetasin Gazmend Haxhia”, sqaron dosja. Një tjetër shoqëri që del se ka lëshuar fatura fiktive është edhe ‘Albanian Food and Hospitality Lab’ që ka në pronësinë e saj edhe restorantin ‘Gzona’ dhe që ndodhet në ambientet e brendshme të Kalasë së Tiranës. “Lidhur mbi faturën e datës 16 Gusht 2023,  rezulton të jetë lëshuar disa minuta para se të lëshohet fatura tjetër kundrejt Eusair-it.

Duke u krijuar dyshimi i arsyeshëm që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare ‘Landways’ ka paguar ndaj ‘Gzonës’, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eusair-i”, thuhet më tej në dosje. Por pavarësisht se Ermal Kurtulaj del se është personi ndërlidhës midis këtyre bizneseve apo shoqatave dhe faturave fiktive të krijuara prej tyre, të lëshuara kundrejt Eusair, ku ai është koordinator, SPAK beson se pas emrit të Kurtulaj, fshihet shefi i tij në SASPAC, Ilir Beqaj. Dhe kjo bindje forcohet gjithmonë e më shumë pas vënies në përgjim të Kurtulaj dhe njerëzve që e rrethojnë. Ku Kurtulaj edhe pse nuk është administrator i restorantit ‘Gzona’, sillet porsi të ishte i tillë.

Artikulli i mëparshëmMartesa e 35-vjeçarit me të miturën, flet drejtoresha e shkollës: Vajza u largua në pushimin e gjatë dhe…
Artikulli i radhësBllokimi i hundëve gjatë stinës së dimrit/ Zbuloni disa trajtime natyrale për lehtësim të menjëhershëm