Dy bashkëkryetarët e komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj janë takuar ditën e sotme privatisht. Mësohet se ata i kanë dërguar një letër zyrtare OSBE për të atashuar përfaqësuesit e ODIHR pranë ekspertëve të komisionit.
Letra e plotë:
Na lejoni fillimisht të shprehim falenderimet dhe mirënjohjen e thellë për kontributin që OSBE/ODIHR ka dhënë gjatë këtyre viteve për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në një prej themeleve të rëndësishme të saj, siç janë zgjedhjet. Me vendimin nr. 12, datë 10.02.2022, të ndryshuar, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore. Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse.
Për këtë arsye, ashtu siç ramë dakord me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it në takimin e zhvilluar në Dhjetor 2023, ku diskutuam punën e Komisionit dhe nevojën që pranë Komisionit të vendoset në dispozicion ekspertiza e ODIHR-it, kemi kënaqësinë që në emër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore t’ju paraqesim kërkesën për të kontribuuar me ekspertë të fushës së zgjedhjeve, të ODIHR-it, për të asistuar punën e këtij Komisioni. Mënyra e komunikimit të ekspertëve të caktuar nga ju, me Komisionin e Reformës Zgjedhore, mund të përcaktohet në vijim të bashkëpunimit tonë të mëtejshëm. Duke ju falenderuar paraprakisht për gatishmërinë dhe bashkëpunimin tuaj, Sinqerisht,
BASHKËKRYETARËT
Damian GJKNURI
Enkelejd ALIBEAJ