Selitë kryesore diplomatike në Tiranë kanë reaguar në mënyrë timide ndaj një nisme të Edi Ramës dhe veglave të tij pseudodemokrate, për të ndryshuar në mënyrë të njëanëshme regullat e lojës elektorale, duke lënë jashtë opozitën kryesore të vendit. Ato kanë denoncuar, në koordinim të dukshëm me njëra-tjetrën, gënjeshtrat se qëndrojnë pas paktit Gjiknuri-Alibeaj, duke nënkuptuar kështu se nuk mund të ketë një reformë zgjedhore pa një rol kontrollues të PD-së që ka votat (ndonëse pushteti i mban peng vulën).
Madje, në deklaratat e tyre diplomatët ndërkombëtarë, kanë shkuar edhe më larg, duke kërkuar, ashtu siç theksonte BE, gjithëpërfshirje të palëve në proces, apo kontributin e të tëra partive, siç, theksonte ambasada e SHBA-së, pa përjashtuar nga ky angazhim “barëngrënësit”.
Pra, në në këto qëndrime të rëna dakord paraprakisht, vihet re qartë shqetësimi se Edi Rama do të bëjë si i leverdis me zgjedhjet, pa i përfillur fare ata që mendojnë ndryshe.
Por, ajo që të bën përshtypje në këto qëndrime të selive perendimore është se ndonëse ato e kanë nuhatur dhe konstatuar këtë shkelmim antidemokratik, ato janë mjaftuar me nje reagim të zbehtë, kalimtar, gati gati, të pafuqishëm.
Kjo zbythje e ka shpjegimin e saj.
Katër vite më parë, ambasadorët më të fuqishëm në Tiranë u angazhuar si arbitra të një pakti për përcaktimin e rregullave elektorale mes qeverisë dhe opozitës. Kjo marëveshje u dakordësua mbi bazën e një parimi, se për çdo kleçkë, për të cilën palët nuk binin dakord, draftin do ta shkruante OSBE. Kështu pas shumë peripecish, u arrit në marrëveshjen e 5 qershorit, në seline e ambasadores amerikane, e cila u përshëndet edhe nga sekretari i shtetit në Uashington. Por pikërisht pas kësaj Edi Rama vendosi të përmbysë tryezën. Ai në mënyrë të njëanëshme, me atë që e quanin opozita e re, ndryshoi rregullat e lojës. Ai përdori gjasme hapjen fallco të listave, për ti hequr mundësinë PD dhe LSI-së të formonin një koalicion fitues.
Sipas marrëveshjes të dakordësuar me garanci ndërkombëtare, opozita kërkoi t’a thoshte fjalën e fundit OSBE-ja, por mazhoranca as nuk e përfilli. BE dhe Gjermania kërcënuan me mosfillimin e negociatave, por Rama iu përgjigj se ato nuk kanë lidhje me ligjin elektoral të një vendi sovran.
Dalëngadalë, presionet u fikën, kryeministri i gjithëpushtetshëm bëri si deshi dhe mori rezultatin që kishte planifikuar në zgjedhje. Për herë të parë, që pas ‘90, një sfidë e hapur ndaj ndërkombëtarëve, kaloi pa lënë asnjë gjurmë. Korriku 2020, sanksionoi shpërfilljen e rolit arbitrues të ambasadorëve dhe pafuqinë e tyre për të reaguar ndaj kësaj.
Pikërisht kjo ngjarje shpjegon edhe reagimin e sotëm timid, ndaj një tentative të re të regjimit të Tiranës për të bërë ç’të dojë me zgjedhjet.
Në pamje të parë, teorikisht, kjo nuk duhej të qe një shenjë e keqe. Disa burokratë, shpesh mizantropë dhe meskinë, që janë kalimtarë në këtë vend, nuk kanë pse marrin më shumë fuqi sesa u takon në një shtet sovran. Edhe kur e thotë me hipokrizi, Edi Rama ka të drejtë sa herë e artikulon këtë tezë. Në daç me paqe dhe në daç me luftë, politikanët shqiptarë duhet ti gjejnë vetë rrugët e vendosjes së ekuilibrave demokratikë. Ambasadorët duhet të mbajnë të distancuar vendin e tyre.
Por e keqja është se në Shqipëri nuk ka ndodhur kjo. Selitë diplomatike nuk janë tërhequr nga fusha, për të ruajtur një rol barazlarguar ndaj palëve. Me tendencën e negociuesve mendjelehtë, për të ushtruar presion në hallkën më të dobët, ata kanë goditur vetëm opozitën. Edhe kur i etiketonin Lulin dhe Monikën si njerëz që vepronin kundër interesit të kombit të tyre, edhe kur pengonin Metën të manifestonte me flamurin amerikan, që e mban çdo trafikant në veturë apo mbi çati edhe kur shpallën non grata Berishën, 8 vite pas largimit nga pushteti, edhe kur shatazhuan Bashën, duke e shpënë drejt çarjes së PD-së, edhe kur i bënë thirrje elektoratit se për kë duhet të votonte, duke shkallmuar çdo princip të konventës së Vienës, ndofta ndonjëherë falë lobingut dhe shumë herë falë naivitetit, ata krijuan një çekuilibër të thellë në vend.
Pushteti personal i Edi Ramës është instaluar edhe si pasojë e gafave kolosale të perendimorëve. Angazhimi i tyre i hapi atij rrugën e një pushteti të pa balancuar dhe të pa konrollueshëm, prej një opozite që u masakrua nga të gjitha anët. Në dëmin tonë të përbashkët ndërkombëtarët korrën atë që kishin mbjellë vetë, zvogëlimin e rolit të tyre. Prandaj ata sot edhe kur janë para gjëmës që po ndodh, bëjnë reagime sa për të larë gojën, si këto të fundit, thjeshtë për tu distancuar nga ajo që nuk e pengojnë dot më/ Andi Bushati
*Titulli origjinal “Zvogëlimi i ambasadorëve“