Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë po ndihmojnë me përkushtim të tepruar Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe si SPAK. Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, ka shprehur nevojën për hapësira të reja në disa raste. Në këtë kontekst, Erion Veliaj ka intervenuar duke i dhuruar Prokurorisë një godinë me vlerë 5 milionë euro, një gjest që vjen në një periudhë kur vetë Veliaj dhe drejtorët e Bashkisë po hetohen për çështjen e inceneratorëve. Po ashtu, Edi Rama ka ofruar mbështetjen e tij, duke rritur buxhetin e këtij institucioni për vitin 2024, një pjesë e të cilit është destinuar për ndërtimin dhe rikonstruksionin e selisë së re të SPAK-ut.
Ministria e Financave ka rritur në mënyrë të konsiderueshme fondet për këtë qëllim. Prokuroria e Posaçme ka shpallur një tender për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinës së re të SPAK, me një fond limit prej 127,867,415 lekësh, e duke shtuar dhe vlerën e TVSH-së shkon në rreth 1.5 milionë euro.
Ndërkohë, gjatë një seance në Komisionin e Ligjeve, Altin Dumani ka theksuar se institucioni po punon në kushte të vështira dhe ka nevojë për më shumë hapësirë. Ai ka sugjeruar që fondet e nevojshme buxhetore të jepen brenda vitit 2024 për të bërë godinën funksionale sa më shpejt. Sipas tij, godina e dëshiruar ndodhet përballë selisë aktuale të SPAK-ut. Kjo godinë, pronë e Bashkisë së Tiranës dhe e përdorur më parë për zyrat e Ujësjellës-Kanalizimeve, është një strukturë luksoze 6-katëshe që ndodhet në rrugën “Jordan Misja”. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar propozimin e Veliajt për dorëzimin e kësaj godine në duart e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas dokumenteve zyrtare, Bashkia e Tiranës ka organizuar një tender për ndërtimin e godinës së re të Ujësjellës-Kanalizimeve me një buxhet prej 480 milionë lekësh të reja pa TVSH, ekuivalent me rreth 5 milionë USD, duke përfshirë dhe TVSH-në.