SPAK shtyn marrjen në pyetje të Berishës dhe Malltezit

0

SPAK ka pranuar shtyrjen e seancës së marrjes në pyetje të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit.

Prokurorët kishin ftuar dy personat nën hetim për privatizimin e ish-klubit Partizani të merreshin në pyetje, Malltezi ditën e sotme, ndërsa Berisha për ditën e nesërme.

Por kanë qenë avokatët e të dyve që kanë kërkuar shtyrjen e seancës së pyetjeve. Prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kanë pranuar kërkesën e avokatëve të Berishës dhe Malltezit, ndërsa parashikohet që seanca e marrjes në pyetje të zhvillohet javën tjetër.

Ish-kryeministri Sali berisha mbahet i izoluar në banesë prej datës 30 dhjetor, pasi gjykata caktoi masën e “arrestit ne shtëpi” me kërkesë të prokurorisë se posdacme.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar ankimimet kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës për ndryshimin e “masës së sigurisë” dhe “përjashtimin e gjyqtares”, Irena Gjokës.

Në njoftimin e Gjykata e Posaçme e Apelit thuhet gjithashtu se trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar regjistroi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim S.B. me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se avokatët e Berishës e kanë ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e GJKKO-së për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “detyrim parqitje” në “arrest në shtëpi” me mbikqyrje policore, ku i ndalohen dhe kontaktet me personat e tjerë, përveç se me familjarët që qëndrojnë në të njëjtën banesë.

Avokatët e Berishës e konsideruan si një vendim të pavlefshëm, pasi sipas tyre, nuk ka asnjë dispozitë në kodin penal material ose procedural të Republikës së Shqipërisë, që përcakton se liria e komunikimit të një personi mund të kufizohet në kushtet e arrestit të shtëpisë.

Si ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu edhe avokatët e tij dhe Partia Demokratike e kanë konsideruar vendimin e GJKKO-së, si të diktuar nga kryeministri Edi Rama për të goditur opozitën dhe për t’i mbyllur gojën kreut të saj.

Avokati i Berishës, Sokol Mëngjesi i është drejtuar me një kërkesë SPAK-ut ku i kërkohet që liderit demokrat t’i jepet leje për shkuar në seancat plenare në Kuvend. Kërkesa do të shqyrtohet nga dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.

Ndërkohë deputetët dhe simpatizantët demokratë i kanë shkuar Sali Berishës pothuajse çdo ditë në mbështetje poshtë pallatit ku banon, teksa pritet që të mblidhen edhe ditën e sotme rreth orës 17:00.

Berisha akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të larte shteterore ose te zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim. Ish-kryeministri i ka konsideruar akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, si sulm politik, pasi sipas tij, nuk ka asnjë fakt dhe dokument që të ngrihen dyshimet mbi akuzat.

Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Ndërsa, për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, SPAK-u deklaron se ata kanë përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta. Mbi këta dy të fundit rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Artikulli i mëparshëmQeveria plotëson “tekat” e SPAK-ut për “salltanete”
Artikulli i radhësÇfarë tregon dhimbja e kokës në mëngjes