Ish-kryeministri Sali Berisha, nga dritarja e banesës së tij, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të ngrihemi në betejë për votën e lirë.
Berisha tha se duhet të ngrihen sepse po heshtën sot, vendi nuk ka të ardhme, ndërsa shtoi se pushtues më të egër nuk kemi pasur ndonjëherë në troje, duke iu referuar këtu qeverisë Rama.
“Ndaj dhe sot, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, të gjithë atyre që besojnë se vota e lira është zemra e lirisë dhe dinjitet njerëzor pa liri nuk ka, të ngrihemi në betejë për votën e lirë.
U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, që e shohin se si po varfërohen, se si skamja po thellohet çdo ditë.
Se si qindra e mijëra pensionistë qajnë me lot të ftohta mjerimin e tyre, skamjen e tyre.
Të ngrihemi, t’i japim fund këtij regjimi.
I bëj thirrje çdo shqiptari, që e ndjen veten shqiptar, të ngrihemi se kurrë në histori, Shqipëria nuk ka qenë para kësaj alternative të jesh apo të mos jesh, si sot që ka humbur në 8 vite, një të tretën e popullit të vet.
Të ngrihemi, të mos pranojmë që Shqipëria të tretet, të shuhet para syve tanë.
Historia kurrë nuk do të na e falë ne këtë!
Të mos harrojmë se sot ne jemi përgjegjës jo vetëm për veten tonë, por jemi përgjegjës për të gjitha brezat që kur banorët e këtij vendi e ndjejnë veten shqiptar gjer sot.
Jemi përgjegjës edhe për brezat që vijnë.
Po heshtëm sot, ata të ardhme në këtë vend nuk kanë.
Ndaj të ngrihemi se pushtues më të egër nuk kemi pasur ndonjëherë në troje.
Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, pensionistëve shqiptarë, ju që shihni që rrogat tuaja zvogëlohen gjithnjë për shkak të rritjes së çmimeve.
Ju që para 10 vitesh, ishit në krye të pagave në Ballkan dhe sot keni zbritur të fundit, se varfëria do na topisë më shumë, gjer sa të na detyrojë të flasim me veten tonë.
U bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, mos harroni kurrë se profesioni, pavarësisht nga pasioni i ligjshëm, nga dashuria e madhe që ushqeni për të, por ai është zanati dhe jo thelbi i intelektualit.
Thelbi i intelektualit është mbrojtja e interesit publik.
Intelektual i vërtetë është ai që ngrihet si vigan në mbrojtje të interesit publik sa herë që ai shkelmohet.
U bëj thirrje vajzave, grave, nënave, motrave, ngriheni ju të gjitha në këtë betejë pa kthim, në mosbindje civile për të shpëtuar qenien tonë kombëtare.
E vërteta është se në histori ju keni qenë shpëtimtarët e kombit dhe se këtë gjëmë të madhe që largon në 8 vite, 1.1 milionë shqiptarë, e vuani ju, më me dhimbje, më me brenga, më me mall se të gjithë të tjerët.
Ndaj dhe sot o kurrë, të ngrihemi dhe t’i japim duart këtij armiku të egër, të pashpirt dhe antishqiptar.
I bëj thirrje çdo të riu, të ngrihet në lartësinë e përgjegjësisë së tij. Përgjegjësia e tij nuk është vetëm vetja. Përgjegjësia e tij është e ardhmja e Shqipërisë sepse ai vetë është e ardhmja.
Nëse ai nuk ka të ardhme këtu, Shqipëria vdes.
Ndaj dhe sot të ngrihemi, të ngrihemi!
U bëj thirrje të gjithë atyre që janë profesione të lira, shërbëtorë të mirë të shoqërisë, ngrihuni me guxim sepse PD ka faktuar se cila është. Ngrihuni të përmbysim këtë regjim, në mënyrë që t’i rikthejmë votën e lirë shqiptarëve.
Të përmbysim këtë regjim në mënyrë që të dy dhe trefishojmë rrogat e shqiptarëve.
Të përmbysim këtë regjim që të presim me gërshërët e ligjit, duart hajdute të pushtetit, që shtrihen mbi pasuritë e shqiptarëve.
Të presim me gërshërët e ligjit, lidhjet e pushtetit me krimin.
U bëj thirrje pensionistëve, që keni kaq shumë kontribute dhe sot trajtoheni me asgjë, ngrihuni për vete dhe për nipërit tuaj, ngrihuni për veten dhe vendin tuaj.
U bëj thirrje medieve të heqin dorë nga kjo propagandë e shpifur se nuk ka akte më të rënda se t’i shërbesh këtij regjimi duke mashtruar qytetarët”, tha Berisha.