Zona përreth “Selman Stërmasit” në Tiranë, përfshirë fushën sportive si pjesë e aneksit të stadiumit, është një nga të paktat hapësira në kryeqytet që ende nuk është pushtuar nga kullat e larta dhe ndërhyrjet agresive të betonit. Megjithatë, pavarësisht disa ndërtimeve, kjo zonë ka ruajtur disi hapësirat e saj, ndërsa fusha sportive mbetet e paprekur, duke mbajtur gjallë shpresën për rikthimin e saj në funksionin origjinal.
Por kjo situatë duket se do të ndryshojë së shpejti. Kompanitë e ndërtimit kanë vendosur të investojnë në këtë truall publik, dhe duket se kanë marrë bekimin e Bashkisë së Tiranës.
Një dokument i siguruar tregon se bashkia dhe qeveria janë të gatshme për të hapur rrugën për ngritjen e kullave dhe godinave shumëkatëshe në këtë zonë, duke falur mijëra metra katrorë tokë publike. Ky projekt, i quajtur “rijetëzimi i stadiumit Selman Stërmasi”, parashikon betonizimin e kësaj hapësire, me qëllim përfitimin financiar.
Dokumenti, i cili pritet të dërgohet për miratim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, propozon që pronat e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe pallatit të sportit “Asllan Rusi” të kalojnë nën menaxhimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve, që ka gjetur një ndërtues të gatshëm për të investuar në këmbim të tokës falas.
Zona përreth stadiumit “Selman Stërmasi” dhe “Asllan Rusi” është ndër më të shtrenjtat në Tiranë, me vlera që arrijnë deri në 3,000 euro për metër katror. Ndërtimi i kullave dhe objekteve shumëkatëshe në këto hapësira do të përfshijë gjithashtu dyqane dhe biznese.
Kjo strategji, e cila justifikohet nga degradimi i infrastrukturës sportive në këto zona, është një tjetër hap drejt betonizimit të hapësirave publike të kryeqytetit. Ashtu si me stadiumin “Qemal Stafa” dhe projektet e tjera të mëparshme, kompanitë e ndërtimit pritet të përfitojnë tokë publike në këmbim të ndërtimit të disa zyrave për bashkinë.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Drejt shëmbjes “Selman Stërmasi” dhe “Asllan Rusi”/ Kryeqytetit pritet ti shtohen kullat...