OKB publikon raportin: Shqipëria mes 6 vendeve me rënien më të madhe të popullsisë në botë

0

Në 63 vende dhe rajone, që përfaqësojnë 28% të popullsisë së botës, popullsia ka arritur kulmin përpara vitit 2024. Ky grup përfshin Kinën, Gjermaninë, Japoninë dhe Rusinë. Në 48 vende dhe rajone të tjera, që përbëjnë 10% të popullsisë botërore në vitin 2024, numri i popullsisë pritet të arrijë kulmin mes viteve 2025 dhe 2054. Vendet si Brazili, Irani, Turqia dhe Vietnami përfshihen në këtë grup, me një rritje të pritshme të popullsisë prej 5.3% gjatë 30 viteve të ardhshme.

Në 126 vendet dhe rajonet e mbetura, popullsia pritet të vazhdojë të rritet deri në vitin 2054, me një mundësi për të arritur kulmin pas vitit 2100. Ky grup përfshin disa nga vendet më të populluara në botë, si India, Indonezia, Nigeria, Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri i njerëzve që jetojnë në këto vende pritet të rritet me 38% deri në vitin 2054. Në nëntë nga këto vende, përfshirë Angolën, Republikën e Afrikës Qendrore, Republikën Demokratike të Kongos, Nigerinë dhe Somalinë, pritet që rritja e popullsisë të jetë shumë e shpejtë, me dyfishimin e saj mes viteve 2024 dhe 2054.

Këto vende do të drejtojnë popullsinë globale drejt arritjes së kulmit, sipas OKB-së. Ndërkohë, vendet ku nivelet e fertilitetit tashmë janë nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua dhe që gjithashtu përballen me emigracion të lartë të individëve në moshë riprodhuese, pritet të përjetojnë rënie të popullsisë. Shqipëria përfshihet në këtë grup. Emigracioni ndërkombëtar gjithashtu ndikon në mënyrë indirekte në numrin e lindjeve, si në vendet e destinacionit, ashtu edhe në ato të origjinës.

Në vende si Shqipëria, Armenia, Guadelupa dhe Xhamajka, emigrimi i një numri të madh të grave në moshë riprodhuese mund të ulë numrin e lindjeve që ndodhin në këto vende, thekson OKB-ja. Ndërsa në vende si Portugalia, Federata Ruse dhe Spanja, kthimi i emigrantëve ka pasur një efekt të kundërt.

Në vendet me shkallë të lartë emigracioni, krijimi i më shumë mundësive dhe punës së denjë, dhe promovimi i kthimit të emigrantëve mund të jenë qasje që duhet eksploruar. Këto masa mund të jenë më efektive për ngadalësimin e rënies së popullsisë në afat të shkurtër sesa politikat që synojnë rritjen e niveleve të lindshmërisë. Së fundmi, Censi i vitit 2023 nga INSTAT zbuloi se popullsia e Shqipërisë ka rënë në 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë më pak se në Censin e vitit 2011./ Monitor

Artikulli i mëparshëmPërçarje në kombëtaren e Kosovës, Muric, Zhegrova dhe Muslija përjashtohen
Artikulli i radhësEdi Rama deklarata “dashurie”: “Kush njeh Melonin, nuk ka si të mos e dojë!”