Në një kohë kur Europa përballet me sfidat më të mëdha gjeopolitike të viteve të fundit dhe Vladimir Putin është shndërruar në simbol të kërcënimit global, kryeministri shqiptar Edi Rama zgjedh të vendosë një kukull të tij në tavolinën e punës dhe ta përdorë si shaka. A është kjo thjesht një gjest ironik apo një tregues i një arrogance të thellë dhe mungesës së seriozitetit për pozicionin e tij?
Në një intervistë të fundit për “prime time” në Itali, gazetari Federico Markoni nuk i kurseu pyetjet provokuese. Përveç interesimit për takimin e supozuar të fshehtë me Giorgia Melonin, një detaj i veçantë tërhoqi vëmendjen: kukulla Putin që qëndronte në tavolinën e Ramës. Kur pyetet për këtë zgjedhje të çuditshme, Rama jep përgjigjen me që shkakton më shumë shqetësim sesa qeshje: “Më pëlqen ta shoh si një kukull. Të kesh aftësinë e autoironisë… është e rëndësishme për të mos qenë skllav i historisë.”
Por a mund të jetë ironia një justifikim i mjaftueshëm për ta trajtuar një diktator të tillë si Putin, një njeri që ka destabilizuar botën, si një lojë në tavolinën e një kryeministri? Për një lider që pretendon të ketë një rol të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, ky është një qëndrim që tejkalon kufijtë e mirësjelljes politike dhe kalon në terrenin e megalomanisë.
Në vend që të përdorë pozicionin e tij për të dërguar mesazhe serioze, Rama zgjedh të tallet dhe të projektojë veten si një lider “cool” me një sens humori. Por, ky humor i errët nuk bie mirë kur bota përballet me pasojat reale të veprimeve të Putinit.
Më shumë sesa një akt autoironik, ky gjest ngjall një ndjesi shqetësimi. A është ky lideri që duhet të përfaqësojë një vend të vogël si Shqipëria në politikën botërore? Një lider që luan me kukulla ndërkohë që bota digjet? Ky është një reflektim i një personaliteti që e sheh veten mbi historinë, duke u përpjekur ta kontrollojë atë përmes objekteve të vogla, por duke dështuar të kuptojë peshën e realitetit që i rrethon.
Në fund të fundit, nuk është thjesht kukulla Putin që është problem. Është mesazhi që përçon. Kur kryeministri tallet me një figurë që ka destabilizuar Evropën, a është ai duke u tallur edhe me popullin e tij? A mund të kemi besim te një lider që ironizon në mënyrë kaq të pakuptimtë përballë kërcënimeve të mëdha?
Në një botë ku serioziteti dhe qëndrimi parimor janë më të nevojshme se kurrë, ndoshta Rama duhet të rishikojë prioritetet e tij dhe të lërë mënjanë kukullat për t’u fokusuar në realitetin politik që ka përpara.