Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kishte vendosur dënimin e tij me burg. Salianji, i cili u akuzua për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, do të vuajë dënimin e mbetur prej një viti burg.
Gjatë seancës së kaluar më 9 tetor, mbrojtja e Salianjit hoqi dorë nga kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg, duke argumentuar se kërkesa nuk kishte më relevancë pas dorëzimit të tij vullnetar në autoritete. Avokati i tij, Ledio Braho, shprehu se Salianji është i vendosur të përballet me dënimin, të cilin ai e konsideron si politik.
“Salianji është i qetë dhe zgjodhi vetë të dorëzohej. Të gjithë përballen me vështirësi kur liria e tyre kufizohet, por duke qenë se ai po vuan një dënim politik, është i vendosur ta çojë deri në fund. Nga Gjykata e Lartë prisnim pezullimin e vendimit të Apelit,” u shpreh Braho pas seancës.
Vendimi i Gjykatës së Lartë për të mos pezulluar dënimin ka mbyllur një kapitull të gjatë ligjor për Salianjin, duke lënë në fuqi dënimin e tij dhe duke vendosur fundin e përpjekjeve për të shmangur vuajtjen e dënimit.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Salianji mbetet në burg/ Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për pezullimin e...