Mëngjesin e sotëm mbërritën në Shqipëri 16 emigrantët e parë pas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, të nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe homologja italiane Giorgia Meloni. Emigrantët, të kapur më parë në brigjet italiane, janë transportuar në Shqipëri përmes anijes ushtarake “Libra”, e cila u nis nga Lampedusa më 14 tetor dhe u ankrua sot në portin e Shëngjinit.
Kontingjenti i parë përfshin 16 persona, të gjithë meshkuj me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi. Autoritetet shqiptare, përmes një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, konfirmuan se janë marrë të gjitha masat për sigurinë dhe zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare. Emigrantët do të qëndrojnë përkohësisht në qendrën e pritjes në Shëngjin dhe më pas do të akomodohen në kampin e ndërtuar në Gjadër.
Mbërritja e emigrantëve të parë ka shkaktuar edhe protesta nga aktivistë në Shëngjin, të cilët mbajtën një banderolë me fotot e kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni. Aktivistët shprehën shqetësimin se ëndrra e emigrantëve për të arritur në Evropë po shuhet, duke kritikuar marrëveshjen mes dy qeverive.
Ndërkohë, ka pasur edhe një reagim nga një zëdhënës i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ai theksoi se modeli i Shqipërisë për trajtimin e emigrantëve nuk është në përputhje me rregullat e BE-së, duke e cilësuar këtë metodë si të paligjshme. BE njoftoi zyrtarisht se kjo praktikë nuk përputhet me standardet e komunitetit europian.