Dalin të tjera detaje lidhur me arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili dyshohet se ka pasur komunikime të fshehta në platformën e koduar SKY ECC me persona të botës së krimit. Përveç Çyrbjas, raportohet se është arrestuar edhe Ahmet Masha, i njohur ndryshe si “Meçe”, ndërsa një tjetër individ është shpallur në kërkim. Arrestimi i Çyrbjas është bërë në Durrës, teksa ai po udhëtonte me makinën e tij në shoqërinë e shoferit.
SPAK konfirmoi se ndaj Çyrbjas rëndojnë tre akuza: “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregti e sekretit shtetëror”, por detajet e mëtejshme lidhur me këto akuza pritet të publikohen në një njoftim për shtyp ditën e nesërme.
Sipas burimeve mediatike, arrestimi i Çyrbjas lidhet me një çështje tjetër përveç asaj të denoncuar nga ish-deputeti demokrat Edi Paloka, e për të cilën Çyrbja ishte marrë më parë si i pandehur. Ndaj tij rëndojnë akuza edhe për kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, ku dyshohet se ka favorizuar një grup kriminal, përfshirë Emiljano Shullazin, për të përvetësuar prona në këtë zonë.
Ngjarja e dyshuar lidhet me veprime të kryera në vitin 2016, dhe komunikimet përmes SKY ECC janë pjesë e provave që lidhen me aktivitetin e tij kriminal në atë kohë.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Zbardhen detaje të reja për arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja