Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot bizneset të paguajnë taksat, në kuadër të fushatës kundër informalitetit.
Në një takim me ministrin e Ekonomisë, ministrin e Brendshëm dhe ministren për Klimën e Biznesit, Rama tha se deklarimi i pagës nga ku buron fondi i pensioneve janë detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim midis sektorit privat dhe shtetëror
Duke folur për sektorin e ndërtimeve, ku me sa duket abuzohet më shumë, Rama tha se deklarimet e pagave me 60 mijë lekë të reja, nuk do të pranohen, dhe do t’u kthehen pas si probleme me dokumentacionin, për të vijuar më tej me masa të tjera.
Kryeministri kërcënoi duke thënë se mund të bëhet edhe këtu si në vendet nordike që të bëhet e detyrueshme nxjerrja e pagave me ligj, që të gjithë ta shohin sa paguan kë dhe sa. Ai tha se nëse biznesit duan të diskutojnë mbi tatimin mbi fitimin për ta ulur, le ta bëjnë, por pagat do t’i deklarojnë sa ç’janë.
“Ndërtuesit do ta pësojnë si ata që nuk paguan energjinë elektrike.
Fillimisht do tu kthehet deklarimi pas duke u thënë keni bërë një deklarim në dokumentacion, më pas do të procedohet në masa të tjera. Mund të shkojë deri në kolapsin e kompanisë kështu që merreni seriozisht.
Mund ta bëjmë edhe si vendet nordike e t’i detyrojmë nxjerrjen e pagave të të gjithëve me ligj, që të gjithë ta shohin sa paguan kë dhe sa. Por kjo është arma e fundit. Fillimisht hyn në lojë krimi ekonomik,. Nuk janë kërcënime e presione, janë ajo që kemi ndërmend të bëjmë. Mos provokoni shtetin”, tha ai.