Pas një mosbindjeje civile që zgjati për tre orë dhe paralizoi qarkullimin në gjashtë kryqëzimet kryesore të vendit, opozita ka përfunduar protestën e saj. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, deklaroi se “sot e gjithë Shqipëria ishte në duart e opozitës”.
Noka theksoi se nuk ka më kthim pas dhe se aksioni opozitar dhe mosbindja civile do të vazhdojnë. “E gjithë Shqipëria sot ka qenë në duart e opozitës. Dua të falënderoj të rinjtë dhe qytetarët që iu përgjigjën ftesës së opozitës në këtë hap të madh. Falënderoj gjithashtu qytetarët që bënë gjithçka për të shmangur përplasjet,” tha ai.
Noka e quajti ditën e sotme një “ditë të zezë për narkoshtetin dhe bandat e pushtetit” dhe akuzoi qeverinë se kishte sjellë policinë për të intimiduar opozitën. Ai paralajmëroi se rezistenca e tyre do të vazhdojë dhe se një qeveri teknike është e vetmja zgjidhje për shqiptarët.
I pyetur nëse protesta e radhës do të zhvillohet në Surrel, Noka u shpreh se “sot e shmangëm, por nuk do ta shmangim gjithmonë”.