Becchetti triumfon: Si kapriçot e Ramës i kushtuan Shqipërisë 130 milionë euro

0

Përkundër deklaratave të forta të Kryeministrit Edi Rama, se Francesco Becchetti nuk do të përfitonte asnjë qindarkë nga paratë e shqiptarëve, biznesmeni italian ka fituar të drejtën për të konfiskuar 130 milionë euro nga fondet e ngrira të Shqipërisë në Eurocontrol. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel urdhëron agjencinë europiane të ekzekutojë kalimin e parave në llogarinë e përmbaruesit të Becchettit.

Në vendimin e datës 17 tetor 2024, gjyqtari i sekuestrimeve vendosi që Eurocontrol ka detyrim ligjor të transferojë fondet e ngrira për përmbaruesin, duke i dhënë Becchettit akses të pakufizuar mbi këto shuma. Gjykata nënvizon se çdo apelim nuk do të ketë efekt pezullues, çka lë qeverinë shqiptare pa asnjë mjet ligjor për të ndaluar konfiskimin e fondeve.

Arbitrazhi dhe rrugëtimi ligjor

Në prill të vitit 2019, Gjykata Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Uashington (ICSID) dënoi qeverinë shqiptare që të paguante 108 milionë euro për dëmshpërblimin e Becchettit, pas sekuestrimit të Agon Channel. Menjëherë pas këtij vendimi, Becchetti kërkoi ekzekutimin e gjobës në Belgjikë, duke synuar fondet që Shqipëria fiton nga të ardhurat e hapësirës ajrore dhe që ruhen në llogaritë e Eurocontrol.

Në dhjetor të vitit 2020, gjykata belge bllokoi llogaritë e Shqipërisë në Eurocontrol, duke bërë që Albcontrol të mos mund të tërheqë asnjë qindarkë nga këto të ardhura. Deri në fund të vitit 2023, fondet e bllokuara arritën mbi 103 milionë euro, sipas pasqyrave financiare.

Përpjekjet e dështuara të qeverisë

Qeveria shqiptare u angazhua për katër vite në një betejë të ashpër gjyqësore, për të ndalur konfiskimin e fondeve, duke apeluar vendimin e arbitrazhit në 2021 dhe kërkuar anulimin e tij – kërkesa që u hodhën poshtë. Në vazhdim, qeveria apeloi edhe vendimin e sekuestrimit në gjykatat belge, por humbi dhe këto përpjekje.

Aktualisht, Shqipëria ka në vazhdim dy padi për këtë çështje: një në Gjykatën Supreme të Belgjikës, duke kërkuar imunitet për fondet e Albcontrol për shkak të rëndësisë së tyre për sigurinë kombëtare, dhe një tjetër në Gjykatën e Apelit në Paris, për anulimin e vendimit të ICSID. Pavarësisht këtyre padive, vendimi i fundit i gjykatës belge i hap rrugën konfiskimit të parave pa asnjë apelim të mëtejshëm.

Përgjegjësit e dëmit financiar

Humbja prej 130 milionë euro për qytetarët shqiptarë ka përgjegjës konkretë. Vendimi i arbitrazhit tregon se deklaratat publike të Kryeministrit Rama kundër Becchettit u përdorën si prova të persekutimit politik, duke forcuar pozicionin e biznesmenit në gjykatë. Përveç Ramës, bashkëpërgjegjës janë edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për mesazhet kërcënuese ndaj gazetarëve, dhe Engjëll Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, për komunikime që gjykata i cilësoi si kërcënime mafioze.

Kështu, shqiptarët përballen me një humbje prej 130 milionë eurosh për shkak të një “beteje personale” të drejtuesve politikë – një kosto e rëndë për një konflikt që ka lënë vendin me borxhe dhe pasiguri financiare.

Artikulli i mëparshëmEdi Rama po sakrifikon “gjumin” për përparimin e Shqipërisë: Pi dhjetë kafe në ditë
Artikulli i radhësNë kërkim të personit të plagosur, policia kontrollon dy klinika private në Shkodër