Në kërkim të personit të plagosur, policia kontrollon dy klinika private në Shkodër

0

Dy klinika private në Shkodër janë kontrolluar nga policia kriminale me shpresën për të gjetur personin e tretë të plagosur, që besohet se ndodhej në makinën tip “Benz” të sulmuar me armë më 30 tetor 2024 në zonën e Dobraçit.

Sipas gazetarit të “Ora News”, Elton Qyno, kontrollet janë kryer bazuar në dyshimet se një person i plagosur është paraqitur në këto klinika për trajtim dhe është larguar më pas pa u identifikuar nga autoritetet. Këto dyshime lidhen me praninë e mundshme të Ibrahim Licit, i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës. Megjithatë, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nëse ai ndodhej në makinën e sulmuar me 38 plumba kallashnikovi dhe nëse është mjekuar në një nga klinikat private të Shkodrës.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe materiale mjekësore për të vërtetuar nëse një person i plagosur ka kërkuar trajtim në këto klinika. Ndërkohë, për identifikimin shkencor të viktimave dhe të mundshmit të plagosur, janë çuar në laborator profile të ADN-së, gjurmë gishti dhe mostra biologjike të tjera, të marra nga vendi i ngjarjes.

Gjatë hetimeve, policia dhe prokuroria kanë zbuluar se Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të përfshirë në ngjarjen kriminale, kanë hyrë në Shqipëri nga Mali i Zi, duke kaluar nga pika kufitare vetëm disa minuta pas njëri-tjetrit. Ata janë ndjekur deri në qytetin e Shkodrës, ku ndodhi sulmi, dhe besohet se ndjekësit e tyre janë identifikuar përmes gjurmëve të lëna në kufi.

Sulmi ndodhi në zonën e Dobraçit, në të njëjtën rrugë ku u vra biznesmeni Bardhok Pllanaj më 4 prill 2021. Ngjarja e tij ende nuk është zbuluar plotësisht, megjithëse SPAK ka informacione për autorët dhe motivet e vrasjes.

Sipas burimeve të policisë, makina e përdorur nga autorët është parë duke dalë nga zona e shtëpisë së Astmer Bilalit, aktualisht i burgosur. Më pas, ajo ka ndjekur “Benz”-in ku udhëtonin viktimat dhe ka hapur zjarr, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Hamzait, Arlindit dhe një çifti të pafajshëm që kalonte aty rastësisht.

Policia ka ngritur dyshime për përfshirjen e disa individëve të tjerë në këtë vrasje të rëndë dhe ka kërkuar ndihmë nga policia e Malit të Zi për të mbledhur informacion mbi lëvizjet e Bushatit dhe Licit në këtë shtet.

Artikulli i mëparshëmBecchetti triumfon: Si kapriçot e Ramës i kushtuan Shqipërisë 130 milionë euro
Artikulli i radhësMesazh prekës nga Edlira Çepani për bashkëshortin Gerti Bogdani: “Rrallë herë i vijnë kësaj bote njerëz si ti!”