Nëse po planifikoni të qëndroni zgjuar gjithë natën për të parë rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, ky udhëzues ka gjithçka që ju nevojitet.
Amerikanët në të 50 shtetet kanë shkuar drejt kutive të votimit për të zgjedhur liderin e ardhshëm të vendit. Vendimi i tyre pritet të ketë ndikim të thellë edhe në Evropë, duke përfshirë tregtinë, ekonominë, teknologjinë, mjedisin dhe kujdesin shëndetësor.
Rreth 65 milionë amerikanë kanë votuar tashmë, falë mundësisë për votim të hershëm dhe me postë, një mundësi që ka rritur pjesëmarrjen.
Fokus në Shtetet Vendimtare
Mos e ndiqni garën në të 50 shtetet; vetëm shtatë shtete kyçe do të përcaktojnë rezultatin përfundimtar. Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, North Carolina, Pennsylvania dhe Wisconsin janë fushëbetejat që do të formësojnë të ardhmen.
Exitpollet dhe Rezultatet e Hershme
Rezultatet e para, sipas kohës së Evropës Qendrore, priten rreth orës 23:00, megjithatë, shumë qendra votimi do të jenë ende të hapura. Exitpollet ofrojnë një indikacion të hershëm për fituesin, ndërsa sondazhet ndihmojnë për të kuptuar përbërjen demografike të votuesve.
Orari i Mbylljes së Qendrave të Votimit
Qendrat e votimit do të mbyllen nga ora 23:00 deri në 5 të mëngjesit. Mbyllja e hershme fillon me Kentucky dhe Indiana, ndërsa mbyllja e fundit për Alaska dhe Hawaii. Për shtetet e rëndësishme si Georgia dhe North Carolina, qendrat do të mbyllen përkatësisht në orën 01:00 dhe 1:30 të mëngjesit, duke vazhduar me Pennsylvania, Michigan, Nevada dhe Wisconsin.
Shtetet e Para Vendimtare
Rezultatet e para vendimtare priten nga Georgia rreth orës 4 të mëngjesit, ndjekur nga North Carolina dhe Michigan. Këto shtete fillojnë numërimin e fletëvotimeve me postë përpara se të mbyllen qendrat, çka mund të vendosë një ritëm të hershëm.
Nëse Harris fiton si Georgia ashtu edhe North Carolina, rezultati në Arizona mund të jetë vendimtar.
Në rast të diferencave të ngushta, rinumërimet mund të vonojnë shpalljen e rezultatit përfundimtar.
Ndikimi i Tensioneve dhe Sfidave Ligjore
Zgjedhjet e këtij viti kanë qenë të shoqëruara me tensione të shtuara dhe dyshime mbi integritetin e procesit. Sfida ligjore dhe protestat nuk përjashtohen. Kujtojmë se pas fitores së Joe Biden në vitin 2020, pasoi një kryengritje në Kapitol, një moment historik i përshkruar si tentativë për grusht shteti nga një panel i Kongresit.
Përgatituni për një natë me përplot zhvillime të papritura, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve në SHBA mund të formësojnë të ardhmen e politikave globale.