Ditët e fundit, rrjeti ka shpërthyer nga dalja në dritë e ekzistencës së një vile superluksoze e cila dyshohe të jetë në pronësi të kreut të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në një kohë kur kriminaliteti në qytetin që ai drejton ka marrë jetë të pafajshme. Ndër viktimat e fundit është një çift, që po kthehej nga një ditë e lodhshme pune për të siguruar jetesën për tre fëmijët e tyre.
Vila e Becit, e cila ndodhet në mes të një pylli të denduar me pisha në fshatin Prush të Tiranës, përfshin një fushë private tenisi dhe ambiente të ndërtuara me luks të jashtëzakonshëm. Kjo pronë e mbuluar nga pyjet dhe e pajisur me një rrugë të posaçme hyrjeje dhe furnizim të veçantë me energji elektrike, ka ngjallur shumë dyshime për burimin e pasurive të tij, në një kohë kur shumë qytetarë e kanë të vështirë të sigurojnë jetesën.
Benet Beci, aktualisht një figurë me histori të larmishme politike, është një emër i njohur për kalimin e tij nga Partia Demokratike tek Rilindja. Ai është përballur me akuza të vazhdueshme për abuzime financiare dhe keqpërdorim të fondeve publike në sektorë strategjikë, si ai energjetik dhe urbanistik. Pasuria e tij është vënë në diskutim për shkak të luksit të vilës, një investim që ngre dyshime për përfitime të mundshme nga paratë e qytetarëve.
Përgjatë viteve, Beci është akuzuar për abuzime të ndryshme në administrimin e fondeve publike dhe për përfshirje në projekte që dyshohet se kanë pasur përfitime financiare të jashtëligjshme. Dyshimet përfshijnë keqpërdorim të buxheteve në sektorin energjetik, ku ai ka pasur ndikim të rëndësishëm, dhe favorizime në projekte urbanistike, që e kanë rritur ndjeshëm nivelin e tij të pasurisë personale.
Ndërkohë, është zbuluar se rruga e ndërtuar për të hyrë në vilën e tij është shtruar veçanërisht për këtë pronë private, një shpenzim i cili ka krijuar pabarazi për banorët e tjerë të zonës që vuajnë nga infrastrukturë e dobët dhe furnizim i pasigurt me energji. Më tej, Beci ka siguruar furnizim të fuqishëm elektrik për vilën e tij, duke u shkëputur nga rrjeti i zakonshëm, një privilegj i veçantë që thellon ndarjen midis tij dhe qytetarëve të zakonshëm.
Kjo situatë ka bërë që shumë qytetarë të kërkojnë transparencë të plotë për origjinën e pasurisë së Becit dhe të nxisin autoritetet të ndërmarrin hetime të thelluara mbi ligjshmërinë e kësaj prone luksoze. Në një kohë kur kriza ekonomike dhe rritja e kriminalitetit janë bërë shqetësime të përhershme për qytetarët e Shkodrës dhe të Shqipërisë në përgjithësi, pasuria e një zyrtari publik është gjithnjë e më shumë në fokusin e opinionit publik.
Në kushtet kur shumë familje përballen me vështirësi ekonomike dhe detyrohen të punojnë me orë të zgjatura për të mbajtur fëmijët e tyre, ekzistenca e një vile të tillë luksoze ngre pikëpyetje të mëdha për mënyrën sesi zyrtarët publikë menaxhojnë përgjegjësitë e tyre dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e ndershmërisë dhe etikës profesionale.
Në vijim, ekipi ynë i gazetarëve investigativ do të publikojë një analizë të plotë financiare mbi deklaratat publike të pasurisë së Z. Beci dhe të personave të lidhur ligjërisht me të. Kjo analizë do të shtrihet edhe tek bizneset në pronësinë e tyre, duke sjellë një hetim të detajuar mbi burimet e pasurisë dhe ndërlidhjet e mundshme financiare.
Ky investigim i thelluar ka për synim të hedhë dritë mbi transparencën e deklarimeve pasurore dhe të japë një pasqyrë të plotë mbi mënyrën e menaxhimit të aseteve nga Z. Beci dhe rrethi i tij i afërt.