Buxheti 2025/ Rritje modeste e buxhetit të shëndetësisë, ndërsa problemet në sektor thellohen

0

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë parashikohet të arrijë në 80.7 miliardë lekë deri në vitin 2025, një rritje prej 3.6% krahasuar me vitin 2024. Kjo shifër mbulon vetëm rreth 9.8% të shpenzimeve të përgjithshme, ndërsa kërkesat për shërbime mjekësore vazhdojnë të rriten, të ndikuara nga plakja e popullsisë dhe incidenca e lartë e sëmundjeve kronike dhe të rënda.

Megjithatë, investimet në sistemin shëndetësor publik nuk përputhen me nevojat e qytetarëve, veçanërisht për medikamente dhe shërbime diagnostikuese. Pavijonet e spitaleve të vendit trajtojnë më së shumti simptoma të lehta, ndërsa pacientët që vuajnë nga sëmundje më të rënda detyrohen shpesh të kërkojnë ndihmë jashtë vendit.

Kjo situatë pasqyrohet edhe në mungesën e fondeve për trajtimin e sëmundjeve të rralla, për të cilat shteti nuk ofron mbulim të plotë financiar. Për pacientët shqiptarë me nevoja të veçanta, kjo situatë kërkon shpesh përkrahjen financiare të të afërmve ose të organizatave bamirëse, duke thelluar problemet për ata që nuk kanë burime të tilla.

Artikulli i mëparshëmKorrupsioni banal në Universitetin e Elbasanit: Gjykata liron pedagogët dhe kalon dosjen në SPAK
Artikulli i radhësFarmacia më e vjetër në botë: Officina Profumo-Farmaceutica di Santa Maria Novella, thesari historik i Firences