Rezultatet e para të exit poll-it kombëtar të CNN, lidhur me zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA, tregojnë se ish-presidenti Donald Trump ka një avantazh ndaj Kamala Harris për çështjet ekonomike. Vetëm rreth një e treta e votuesve amerikanë mendojnë se ekonomia është në gjendje të mirë ose të shkëlqyer. Kjo shifër përbën një rënie të dukshme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2020, ku gjysma e të anketuarve shpreheshin pozitivisht për gjendjen ekonomike.
Këto rezultate mund të konsiderohen si një “fitore” për Trump, i cili ka akuzuar qeverisjen demokrate për përkeqësimin e ekonomisë. Për shumicën e votuesve, ekonomia nuk duket në gjendje të kënaqshme, me një të tretën e tyre që thonë se situata është e rënduar dhe se janë varfëruar.
Gjithashtu, vetëm një e katërta e votuesve thonë se janë personalisht më mirë se katër vite më parë, ndërsa rreth 45% mendojnë se gjendja e tyre ka përkeqësuar. Kjo është një tjetër shenjë negative për administratën aktuale, pasi në sondazhet e vitit 2020, rreth katër në dhjetë amerikanë shprehnin se po ia dilnin më mirë në aspektin ekonomik, dhe vetëm 20% pohonin se ishin më keq.
Sipas exit poll-it të këtij viti, rreth një e pesta e votuesve deklarojnë se inflacioni u ka shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre vështirësi të rënda gjatë vitit të fundit. Më shumë se gjysma e të anketuarve thonë se inflacioni ka krijuar vështirësi mesatare, ndërsa një e katërta e votuesve pohuan se nuk kanë ndjerë ndikim të madh nga inflacioni.