Shqipëria duket sikur është bërë papritmas epiqendra e betejave të fuqive të mëdha! Nga njëra anë, Kina dhe Rusia, këto forca të errëta të huaja që – sipas disa politikanëve – po përpiqen të ndikojnë mbi mediat e varfra të vendit tonë. Nga ana tjetër, kemi qeverinë tonë që krijon komisione të posaçme, nismat e të cilëve kanë për qëllim “shpëtimin” e popullit shqiptar nga propaganda e huaj. Dhe në krye të këtij misioni janë të patremburit Erion Braçe, Etilda Karçanaj dhe Vlora Hyseni, shefja e SHISH-it, të cilët duket se janë të bindur që Shqipëria po përballet me një rrezik sa i qartë, po aq i madh.
Por le të jemi seriozë për një moment. Shqipëria, me gjithë përulësinë, nuk është saktësisht në qendër të politikave globale. Edhe pse Braçe apo Karçanaj përpiqen të na mbushin mendjen për rrezikun e madh që vjen nga “mediat e rublave,” vështirë të mendojmë se Putini apo Xi Jinping po zgjohen çdo mëngjes duke u shqetësuar për titujt e faqeve shqiptare online. E vërteta e hidhur është se Shqipëria ende nuk ka asnjë ndikim të ndjeshëm në arenën ndërkombëtare, sado që disa duan të besojmë të kundërtën.
Në vend të shqetësimit për “armiqtë e jashtëm,” mbase duhej t’i hidhnim një sy më të afërt situatës reale në vend. Raportet ndërkombëtare na kujtojnë shpeshherë që një grusht mediash në Shqipëri kontrollojnë pothuajse 90% të audiencës. Dhe, interesant është fakti që familjet që kanë në pronësi këto media nuk kufizohen thjesht në sferën mediatike. Këto janë njerëz me interesa biznesi që shtrihen përtej kufijve të gazetarisë dhe që shpesh përfitojnë tendera publikë dhe fonde të majme nga shteti. Tani, a nuk tingëllon kjo si një influencë shumë më e drejtpërdrejtë dhe e prekshme se sa një “ndikim i huaj” imagjinar?
Nga ana tjetër, të ashtuquajturat media online të vogla apo portale, që janë të akuzuara për influencë të huaj, nuk kanë as fuqinë, as ndikimin që të arrijnë një pjesë të madhe të publikut. Në fakt, shumica e tyre vështirë të arrijnë të depërtojnë përtej audiencës së tyre të ngushtë. Ndaj, ndoshta “frika” nga këto portale të vogla është thjesht një shashkë për të shmangur vëmendjen nga kontrolli i vërtetë mediatik brenda vendit.
Dhe kur bëhet fjalë për dezinformimin, ndoshta më e rrezikshme se çdo ndikim i jashtëm është dezinformimi që buron nga vetë qeveria dhe mediat që ajo kontrollon. Në fund të fundit, nëse Shqipëria vuan nga ndonjë influencë e huaj, nuk është as Rusia, as Kina që po e shkatërrojnë demokracinë e saj. Po ashtu, “armiqtë e huaj” janë më tepër një arsyetim për të justifikuar kontrollet e reja mbi mediat e pavarura, në një vend ku gazetaria e lirë ka kohë që po lufton për të mbijetuar.