Në një situatë alarmante të sigurisë publike, Policia e Shtetit dhe Ministri i Brendshëm kanë zgjedhur heshtjen, duke i lënë qytetarët të përballen vetëm me pasojat e rënda të kriminalitetit që ka goditur në zemër të kryeqytetit. Në vend që të dalin para opinionit publik me deklarata ose veprime konkrete për të adresuar situatën, drejtuesit e institucioneve kryesore të rendit janë zhdukur, duke treguar një mungesë të papranueshme përgjegjësie.
Heshtje në vend të ngushëllimeve
Ngjarjet e fundit kanë tronditur Tiranën dhe gjithë vendin: një 14-vjeçar u vra pranë oborrit të shkollës “Fan Noli”, një biznesmen i njohur u ekzekutua nga një snajper, dhe një 27-vjeçar, djali i një ish-gjyqtari, u qëllua me pesë plumba jashtë një lokali në një zonë të populluar. Në të gjitha këto raste, autorët kanë mbetur të paidentifikuar dhe të pakapshëm, përvëç rastit të të miturit, ndërsa institucionet përgjegjëse janë mjaftuar vetëm me deklarata të thata dhe pa reagime të menjëhershme.
Drejtori i Policisë së Shtetit, në vend që të dalë vetë për të siguruar publikun për hapa konkretë, delegoi këtë detyrë te zëdhënësi i institucionit. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, nuk dha asnjë reagim, as edhe një mesazh njerëzor për të shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre. Në vend të angazhimit publik, ai zgjodhi të publikojë në rrjetet sociale foto nga prezantimet rutinë të drejtorëve të rinj të qarqeve të Policisë.
Ministri i Brendshëm shmang përgjegjësinë
Në një kohë kur qytetarët kërkojnë siguri dhe përgjigje, Ministri i Brendshëm nuk u paraqit në Parlament gjatë diskutimeve maratonë për buxhetin. Ai është i vetmi ministër i kabinetit “Rama” që nuk mbajti një fjalim, një veprim që duket si shmangie nga përgjegjësitë e tij në një kohë krize. Në mënyrë të qëllimshme, Hoxha u tërhoq për të mos përballuar reagimet e opozitës pas vrasjeve të rënda, sidomos atë të 14-vjeçarit, një ngjarje që tronditi të gjithë vendin.
Krimi godet, policia vë gjoba
Ndërkohë që atentatet ndodhin në zemër të kryeqytetit, Policia e Shtetit duket e zellshme vetëm në mbledhjen e gjobave për parkime të gabuara, edhe në orët e vona të natës. Por kur bëhet fjalë për ndalimin e krimit dhe kapjen e autorëve të atentateve, Policia duket e paralizuar dhe e paefektshme. Si është e mundur që një sistem që funksionon me kaq efikasitet për të varfëruar qytetarët me gjoba, të mos funksionojë për t’i mbrojtur ata nga krimi?
Një shtet që nuk ekziston për qytetarët
Qytetarët që përballen çdo ditë me frikën për jetën dhe sigurinë e familjeve të tyre ndihen të braktisur nga një shtet që duket se ekziston vetëm për të shërbyer interesat e ngushta të një grupi të privilegjuar. Ndryshimet e fundit në kupolën e Policisë së Shtetit, përfshirë emërimin e Ilir Prodës si drejtor i ri, nuk kanë sjellë asnjë përmirësim të situatës. Përkundrazi, duket se emërimet janë bërë për të kënaqur interesa politike, biznesi dhe, ndoshta, edhe kriminale.
Situata alarmante e kriminalitetit dhe reagimi i dobët institucional konfirmojnë atë që shumë qytetarë tashmë ndiejnë: shteti shqiptar nuk po vepron si mbrojtës i interesave publike, por si një mjet për ruajtjen e pushtetit dhe privilegjeve. Përgjegjësia e kësaj situate bie drejtpërdrejt mbi kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e tij, që po e lënë vendin të fundoset në pasiguri dhe kaos.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Dështimi i Policisë dhe shtetit përballë krimit: Drejtuesit heshtin ndërsa qytetarët jetojnë...