Pas një periudhe 7-vjeçare, procesi i vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri ka përfunduar, duke shënuar një nga reformat më të rëndësishme në drejtësinë shqiptare. Ky proces nisi në mars të vitit 2018 dhe deri më tani ka përfshirë mbi 800 gjyqtarë e prokurorë.
Më shumë se 300 prej tyre janë shkarkuar për shkak të problemeve me pasuritë, lidhjeve të dyshimta me krimin apo mungesës së aftësive profesionale. Ky proces ka sjellë një ndryshim të thellë në strukturën e drejtësisë shqiptare, duke shkaktuar dorëheqje dhe shkarkime në të gjitha nivelet, nga Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese deri te Gjykatat e Apelit dhe të Shkallës së Parë.
Procesi i vetingut ka shkaktuar një “tërmet” institucional, duke lënë sistemin gjyqësor në një fazë tranzicioni të zgjatur. Me përfundimin e punës nga komisionerët e vetingut, përgjegjësia për vijimin e filtrimit të brezave të rinj të gjyqtarëve dhe prokurorëve tashmë bie mbi Kolegjin e Apelimit, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
Përkundër rezultateve të rëndësishme, procesi ka nxitur edhe kritika, duke u cilësuar nga disa si shkak për ngadalësimin e drejtësisë dhe paralizimin e sistemit gjyqësor. Aktualisht, Shqipëria ka vetëm një Gjykatë Apeli për të gjithë vendin, çka ka sjellë vonesa të mëdha në shqyrtimin e çështjeve.
E ardhmja e drejtësisë shqiptare
Ndërsa procesi i vetingut ka mbyllur një kapitull të rëndësishëm, shumë sfida mbeten përpara. Ndërtimi i një sistemi të drejtësisë që garanton pavarësi, integritet dhe efikasitet është qëllimi kryesor i reformës. Vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse këto ndryshime do të sjellin drejtësinë e premtuar për qytetarët shqiptarë.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Mbyllet procesi i vetingut: mbi 300 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar brenda...