Ngjarja e rëndë që tronditi shkollën “Fan Noli” vijon të zbulojë detaje të reja. Luisi, 14-vjeçari i plagosur në këtë ngjarje tragjike, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Review” në Euronews Albania, duke treguar për momentet e tmerrshme që përjetoi.
Sipas dëshmisë së tij, në vendngjarje ishin të pranishëm dy persona me thika, ndërsa një i tretë, ende i paidentifikuar, e kishte ngritur në ajër gjatë përleshjes.
Dëshmia e plotë e Luisit
“Nga ai moment mbaj mend që shoku i Marios, një djalë me flokë të gjata, më goditi pas shpine. U ktheva dhe e godita. Kur u ktheva përsëri, pashë që Mario kishte nxjerrë thikën dhe po godiste Martinin në zemër. Shkova për ta mbrojtur, por më kapi një burrë që nuk e pashë kush ishte dhe më ngriti në ajër,” rrëfen Luisi.
Ai përshkruan momentin kur Mario e sulmoi: “Mario më drejtoi thikën për në zemër. Vura dorën përpara dhe thika më preku pak zemrën. Ai më sulmoi gjashtë herë në kraharor, por katër herë më kapi. Thika e tij ishte më e madhe se dora ime. Nga frika që kisha, reagova fort dhe godita njërin prej tyre.”
Dyshimet për dy thika të ndryshme
Luisi thekson se dëshiron që autoritetet të kryejnë një ekspertizë mjekoligjore për të provuar se është goditur nga dy thika të ndryshme. “Kam plagë nga dy thika të ndryshme. Dua që ekspertiza ta vërtetojë këtë,” tha ai, ndërsa shtoi se nuk mund të flasë më shumë për shkak të dhimbjeve të shumta.
Personi i tretë, ende i paidentifikuar
Sipas Luisit, përveç dy agresorëve, në vendngjarje ishte edhe një person i tretë që e kishte ngritur në ajër gjatë sulmit. Ai nuk mundi ta identifikonte këtë person dhe tha se nuk e kishte parë më parë.
Apel për drejtësi
Ngjarja ka lënë një gjurmë të rëndë në komunitetin e shkollës “Fan Noli”, ndërsa familjarët dhe të afërmit e viktimës dhe të plagosurit kërkojnë drejtësi të plotë. Ekspertiza mjekoligjore dhe hetimet intensive pritet të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të tmerrshme.