Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se Izraeli dhe Libani kanë arritur një marrëveshje armëpushimi, duke pranuar propozimin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftimeve që kanë tronditur rajonin. Sipas tij, marrëveshja, e ndërmjetësuar edhe me ndihmën e presidentit francez Emmanuel Macron, hyn në fuqi nesër në mëngjes me qëllim ndalimin e menjëhershëm të luftimeve ndërkufitare.
Presidenti Biden vlerësoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke theksuar se “Izraeli nuk e nisi këtë luftë, as populli libanez nuk e kërkoi atë.” Ai shtoi se më shumë se 70,000 izraelitë janë zhvendosur për shkak të konfliktit, i cili ka qenë më vdekjeprurësi në dekada mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Biden theksoi se nuk do të lejohet rigrupimi i Hezbollahut pas armëpushimit dhe shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë përpjekjet për të siguruar një armëpushim edhe në Gaza. Ai përsëriti gatishmërinë për të mbështetur krijimin e një shteti palestinez dhe për të normalizuar marrëdhëniet mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.
“Populli i Gazës e meriton një fund të dhunës dhe një rrugë për paqe të qëndrueshme. Hyrja e ndihmave dhe lirimi i pengjeve duhet të jenë prioritet,” deklaroi ai, duke nënvizuar se paqja në Lindjen e Mesme mbetet një objektiv i arritshëm.