Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, do të mbajë sot në orën 13:30 konferencën e tij të parë për shtyp pas lirimit nga masa e arrestit shtëpiak. Lajmi vjen disa orë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila heq çdo masë sigurie ndaj ish-kryeministrit.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Fjorela Davidhi, ndërsa avokati Genc Gjokutaj konfirmoi se Prokuroria kishte kërkuar vazhdimin e masës së arrestit, një kërkesë që u refuzua nga gjykata. Në të njëjtën çështje, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, vijon të qëndrojë në “arrest shtëpie”.
Hetimet lidhen me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, një çështje e cila ka ngjallur debat të madh politik dhe publik. Berisha ka kundërshtuar masat e mëparshme të vendosura nga SPAK, duke i cilësuar ato si të paligjshme dhe antikushtetuese.
Në konferencën e sotme, pritet që Berisha të japë mesazhe politike dhe të adresojë zhvillimet e fundit që kanë tronditur opozitën dhe skenën politike në vend. Ky zhvillim është parë nga mbështetësit e tij si një fitore ndaj strukturave të drejtësisë.
Opinioni publik tashmë pret të dëgjojë qëndrimet e liderit të opozitës mbi akuzat dhe vijimin e luftës së tij politike.