Shqipëria feston sot 112-vjetorin e Pavarësisë

0

Shqipëria shënon sot 112 vite nga shpallja e pavarësisë, një moment historik që përfaqëson kulmin e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për liri dhe sovranitet. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet të pavarur dhe të lirë nga Perandoria Osmane.


Pavarësia dhe vendimi i Kuvendit të Vlorës

Kuvendi i Vlorës mblodhi 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, ku 40 prej tyre firmosën Aktin e Pavarësisë. Ky akt historik iu komunikua Fuqive të Mëdha të kohës dhe shteteve fqinje, duke shprehur vullnetin e popullit shqiptar për një shtet të lirë dhe të pavarur.


Simbolika e datës 28 Nëntor

Kjo datë është ngulitur thellë në ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Më 28 Nëntor 1443, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kuq e zi mbi Krujë, duke çliruar qytetin nga pushtimi osman. 469 vite më pas, Ismail Qemali shpalli pavarësinë në Vlorë, duke vendosur bazat e shtetit shqiptar.


Kontributi i Adem Jasharit dhe UÇK-së

Më 28 Nëntor 1955, lindi në Prekaz Adem Jashari, figura legjendare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai mbetet simbol i rezistencës shqiptare dhe sakrificës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 Nëntor 1997, UÇK-ja doli për herë të parë publikisht, duke paralajmëruar një epokë të re në luftën për çlirim.


Një ditë uniteti kombëtar

28 Nëntori përfaqëson më shumë sesa një ditë historike; ajo është një ditë krenarie, frymëzimi dhe uniteti për shqiptarët kudo në botë. Lavdi të rënëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar!

Artikulli i mëparshëmBisedat inkriminuese të Artan Hoxhës: Si përgjigjet gazetari i njohur?