Në jug të Toskanës, në qytetin e lashtë San Cassiano dei Bani, janë zbuluar thesare të rralla nga koha romake dhe etruske. Ministria e Kulturës së Italisë ka njoftuar për gjetjet e fundit, të cilat përfshijnë statuja bronzi, monedha të lashta, bizhuteri, dhe objekte të tjera që datojnë nga shekulli III para Krishtit.
San Cassiano, i vendosur në majë të një kodre, ka qenë një vend i shenjtë ku etruskët dhe romakët linin oferta simbolike, të cilat tani po zbulohen nga gërmimet arkeologjike që nisën në vitin 2019. Gjatë kërkimeve, në një thellësi prej 5 metrash, arkeologët kanë zbuluar statuja të burrave dhe grave, mijëra monedha, një kurorë dhe unazë të artë, gurë të çmuar dhe skulptura të rralla të gjarpërinjsh, përfshirë një statujë të perëndisë Agathodaemon, e cila është më e madhja prej bronzi e gjetur deri më sot.
Gjendja e ruajtjes së këtyre objekteve ka qenë e jashtëzakonshme, falë baltës së nxehtë të burimeve termale të zonës. Përveç artefakteve, u zbuluan edhe lëvozhga vezësh dhe degë të zbukuruara, që besohet të jenë përdorur si oferta për faltoren.
Këto zbulime unike do të ekspozohen në një muze të ri që do të ndërtohet në San Cassiano dhe pritet të hapet në fund të vitit 2026, duke i dhënë rajonit një rëndësi të re historike dhe kulturore.
Ky zbulim jo vetëm që hedh dritë mbi një periudhë të rëndësishme të historisë, por gjithashtu tregon se sa shumë trashëgimi e pasur ende mbetet për t’u zbuluar në Itali. San Cassiano dei Bani tashmë shihet si një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Evropë, që tërheq vëmendjen e studiuesve dhe vizitorëve nga e gjithë bota.
FAQJA KRYESORE ARGËTIM & TEKNOLOGJI Thesaret e San Cassiano: gjetje të jashtëzakonshme nga koha romake dhe etruske...