Rajoni i Ohrit, një nga pasuritë më të çmuara natyrore dhe kulturore të Ballkanit, është në rrezik serioz për shkak të ndërtimeve të paligjshme, urbanizimit dhe planifikimit hapësinor të papërshtatshëm. UNESCO, për herë të tretë, ka kërkuar veprime urgjente nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për të ruajtur këtë trashëgimi unik dhe për të shmangur futjen e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Raporti i fundit i UNESCO-s thekson dëmet e pariparueshme që janë shkaktuar nga mungesa e zbatimit të rekomandimeve. Ndërhyrjet e papërshtatshme, ndërtimet pa leje dhe neglizhenca institucionale kanë vënë në rrezik vlerën e jashtëzakonshme universale të rajonit.
Sipas organizatës qytetare “Front 21/42,” autoritetet kanë dështuar të zbatojnë 15 rekomandimet e UNESCO-s, duke përkeqësuar gjendjen në katër prej tyre. “Trashëgimia unike e Ohrit po shkatërrohet nga mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni,” thuhet në deklaratën e tyre.
Problemet kryesore përfshijnë depërtimin e ujërave të ndotura nga gropa septike dhe ndërtime pa leje në zonën e Kënetës së Studeniçishtës. Në një raport të fundit, Komuna e Ohrit ka evidentuar mbi 120 ndërtime të paligjshme vetëm nga viti 2020, ndërsa që nga viti 2006 numri i tyre ka arritur në 869.
Përgjegjësia për mbrojtjen e rajonit bie mbi të dyja vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shqipëria, e cila ka një pjesë të Liqenit të Ohrit nën mbrojtje që nga viti 2019, duhet të parandalojë zhvillimet urbanistike në bregdet dhe zonat e ndjeshme si Driloni. UNESCO ka kërkuar një vlerësim strategjik mjedisor të përbashkët nga të dyja shtetet, për të analizuar efektet kumulative të aktiviteteve zhvillimore.
Autoritetet e dy vendeve duhet të paraqesin një raport për progresin deri më 1 shkurt 2025. Pa ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuara, rajoni i Ohrit rrezikon të humbasë statusin e tij si Trashëgimi Botërore, duke humbur gjithashtu një pasuri të paçmueshme për gjeneratat e ardhshme.
Ohri kërkon veprim urgjent dhe të vendosur për të mbrojtur historinë, biodiversitetin dhe bukurinë e tij natyrore nga degradimi dhe neglizhenca.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI UNESCO paralajmëron: Ohri drejt futjes në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik