Një atentat mafioz ka tronditur qytetin e Athinës këtë të diel, ku një shqiptar mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 në sheshin Thrakomakedonon, jashtë një lokali, në një zonë të njohur për lëvizje të dendur.
Viktima është identifikuar si një 45-vjeçar, pronar i një lokali në zonën Peristeri, ndërsa i plagosuri, një 46-vjeçar me origjinë nga Puka dhe banues në Durrës, ndodhet nën kujdes intensiv në spital. Sipas informacioneve, pas ngjarjes tragjike, djali i viktimës telefonoi një mik dhe, i tronditur, i tha: “Më kanë vrarë babanë!”.
Autorët e atentatit kanë përdorur një automjet të vjedhur për të kryer sulmin dhe janë larguar menjëherë pas të shtënave. Policia greke ka nisur hetimet dhe po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar dhe kapur autorët.
Ngjarja dyshohet të jetë pjesë e larjes së hesapeve, nisur nga e kaluara e viktimës, i cili mendohet të ketë pasur lidhje me figura të njohura të krimit të organizuar. Aktualisht, policia ka marrë në pyetje dëshmitarët dhe ka intensifikuar kontrollet për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Hetimet vazhdojnë ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende informacione të reja mbi përparimin e operacionit.