Detaje të reja/ Trafiku i armëve organizohej përmes rrjeteve sociale, shkëmbime me kokainë

0

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet mbi grupin e arrestuar, i cili organizonte trafikimin e armëve nga Turqia drejt Kosovës, Shqipërisë dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Policia ka zbuluar se trafikantët përdornin rrjetin social Snapchat për të komunikuar, reklamuar dhe organizuar shitjen e armëve të zjarrit të kalibrave të ndryshëm. Hetimi nisi pas arrestimit të katër personave në maj të këtij viti, të cilët po trafikonin 10 pistoleta.

Për të marrë akses në grupin e organizuar në “Snapchat”, anëtarët ekzistues bënin sugjerime për persona të interesuar, duke siguruar një platformë të fshehtë për komunikim. Aty diskutoheshin çmimet, llojet e armëve dhe organizimi i dërgesave.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu një praktikë shkëmbimi, ku një pistoletë shpesh këmbehej me 20-30 gram kokainë, varësisht cilësisë. Në disa raste, trafikantët nga Kosova sillnin armët në Shqipëri dhe merrnin në këmbim lëndë narkotike. Shkëmbimet kryheshin gjithashtu përmes linjave të autobusëve nga Prishtina drejt Tiranës.

Nga operacioni i fundit policor, i zhvilluar dy ditë më parë në Tiranë, janë sekuestruar:

22 armë zjarri “Zoraki”,

1 armë zjarri AK-47,

1 granatë dore,

470 fishekë të kalibrave të ndryshëm,

3 automjete dhe një shumë e konsiderueshme parash.


Në Kosovë, autoritetet kanë sekuestruar:

29 pistoleta,

3 armë të gjata,

2635 fishekë,

2 automjete dhe pajisje të tjera të përdorura për trafikimin e armëve.


Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “arrest në burg” për të arrestuarit, ndërkohë që hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë anëtarëve të përfshirë.

Trafikimi i armëve dhe praktikat e sofistikuara të komunikimit përbëjnë një sfidë të madhe për autoritetet, duke kërkuar koordinim më të madh mes vendeve të rajonit për të luftuar këtë fenomen.

Artikulli i mëparshëmPamje të rënda/ Detaje të reja mbi atentatin ndaj dy shqiptarëve në Greqi
Artikulli i radhësDetaje të reja/ “Më kanë vrarë babanë!”, tronditje pas atentatit në Athinë