Kërcënoi publikisht Edi Ramën, Çim Peka shfaqet sërish me Arben Ahmetajn: “Gati të bëjmë atë që themi”

0

Gazetari Çim Peka ka rindezur polemikat me një postim të fundit ku shfaqet sërish me Arben Ahmetajn, ish-zv.kryeministrin e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për shpërdorim detyre dhe dëmtim ekonomik të buxhetit të shtetit.

Ahmetaj, i cili prej muajsh është në arrati, ka bërë dy dalje publike të mëparshme në intervista me Çim Pekën, ku ka lëshuar paralajmërime për “zbulime të forta” që do të godasin qeverinë aktuale.

Në këtë klimë të ndezur politike, kur partitë po përgatiten për zgjedhjet parlamentare, Çim Peka ka bërë një postim të ri në rrjetet sociale. Në foto, ai dhe Ahmetaj shihen duke parë diçka në telefon, ndërsa gazetari ka zgjedhur si diçiturë: “Bëjmë atë që themi, themi atë që do bëjmë”.

Ky mesazh ka ngjallur reagime dhe spekulime në opinionin publik. A është ky një mesazh i koduar për të paralajmëruar një tjetër “bombë mediatike”? A do të dalë Ahmetaj në një intervistë të tretë, këtë herë me të dhëna më të drejtpërdrejta?

Një betejë e vazhdueshme

Paralajmërimet e ish-zv.kryeministrit, të dhëna përmes platformës së Pekës, vijnë në një moment kur tensionet mes forcave politike janë në kulm. Ahmetaj ka akuzuar në mënyrë të përsëritur qeverinë për përfshirje në skandale të mëdha korrupsioni dhe ka premtuar se do të zbardhë fakte që, sipas tij, do të trondisin skenën politike shqiptare.

Në këtë periudhë parazgjedhore, një dalje tjetër e Ahmetajt mund të ketë një efekt të madh, si politikisht ashtu edhe mediatikisht. Peka, me mesazhin e tij, lë të kuptohet se zhvillime të reja janë në prag dhe se “seria” e Ahmetajt nuk ka përfunduar ende.

A do të kemi një tjetër rrëfim nga arratia që do të vendosë nën presion qeverinë? Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

Artikulli i mëparshëmAksident i trefishtë te rrethrrotullimi i Saukut, plagoset një mjek dhe një 32-vjeçare
Artikulli i radhësKPA largon përfundimisht nga drejtësia prokuroren e Shkodrës, Edlira Cufi