Gjykata Kushtetuese ndodhet sërish në qendër të një rrëmuje të re. Ndonëse rregullat janë të qarta: gara për pasardhësin e një gjyqtari hapet vetëm kur Kushtetuesja shpall përfundimin e mandatit, Sokol Sadushi ka ndërmarrë një hap të paprecedentë. Me një lëvizje të cilësuar si “kamikaze”, Sadushi ka marrë kompetenca që i tejkalojnë postin e tij, duke i dhënë vetes rolin e një gjykate më të lartë.
Në vendimin e firmosur prej tij, Sadushi argumenton se ka marrë këtë iniciativë për shkak të “mungesës së veprimit” nga Gjykata Kushtetuese për shpalljen e vakancës së gjyqtares Holta Zaçaj. Por ky justifikim duket absurd, duke kujtuar se Sadushi, në kohën kur ishte vetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ka votuar në favor të vendimeve që e ndalonin çdo organ tjetër të ndërhynte në përcaktimin e mandateve të gjyqtarëve kushtetues.
Pse po ndodh kjo rrëmujë?
Sokol Sadushi, një nga arkitektët e reformës në drejtësi dhe një nga njerëzit më të fortë të Fatmir Xhafës në sistem, është aktualisht kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Ky rol i jep atij fuqi për të ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Me ndikimin e tij, duket se Sadushi kërkon të garantojë se pasardhësi i Holta Zaçajt zgjidhet pikërisht gjatë mandatit të tij në krye të KED.
Loja zgjeron horizontet
Kjo betejë nuk kufizohet vetëm tek një vakancë. Në prapaskenë qëndron edhe tentativat për të ndërprerë në mënyrë abuzive mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja, e njohur për qëndrimet e saj shpesh kundër vendimeve politike të qeverisë. Sipas analizave, këto lëvizje synojnë krijimin e tre vakancave brenda vitit 2025, duke i dhënë Sadushit dorë të lirë për të vendosur gjyqtarët e rinj kushtetues sipas kalkulimeve të tij dhe të njerëzve brenda sistemit.
Mbi manovrat: pushtet apo interes?
Kjo përplasje nuk duket të jetë tërësisht politike. Gjykata Kushtetuese, e kapur prej kohësh nga qeveria Rama, ka humbur peshën e saj si një institucion i pavarur. Ironikisht, ky vakuum drejtësie duket se po shfrytëzohet nga vetë njerëzit e sistemit për të ushtruar më shumë ndikim dhe për të shpërblyer “besnikët”. Nuk është rastësi që në mbledhjen e fundit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Roland Ilia deklaroi publikisht: “Jemi të gatshëm të shërbejmë në detyra të reja”.
Përfundimi i vettingut dhe tentativat e fundit
Në këtë kohë përkimi, ku mandati i shkallës së parë të vettingut përfundon më 31 dhjetor, këto lëvizje brutale për të krijuar vakanca në Gjykatën Kushtetuese marrin edhe më shumë kuptim. Ato nuk duken si beteja për drejtësi, por si një manovër për të mbushur boshllëqet e krijuara nga vettingu me individë të kontrolluar dhe të bindur ndaj strukturave të sistemit.
Sokol Sadushi, i njohur si një nga drejtuesit e reformës, sot duket më shumë si “kamikazi” i një sistemi që po konsumon vetveten – me shami pioneri në dorë, por me interesa të qarta për të vendosur të ardhmen e drejtësisë shqiptare nën kontroll të plotë.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Kush po kontrollon Gjykatën Kushtetuese? Loja e Sokol Sadushit për dominimin e...