Beleri: Burgosja e liderëve opozitar në Shqipëri, tregues i një regjimi autoritar

0

Eurodeputeti Fredi Beleri, gjatë një seance në Parlamentin Europian, ka ngritur shqetësimin mbi situatën politike në Shqipëri, duke e cilësuar burgosjen e liderëve opozitar si një shembull të instrumentalizimit të drejtësisë për qëllime politike.

Në fjalën e tij, Beleri theksoi se samiti i ardhshëm mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë për të rishikuar kushtet e zgjerimit të BE-së, duke mbajtur standardet e larta për shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Ai kritikoi ashpër qasjen që mund të injorojë këto standarde për arsye politike, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të shkaktojë pasoja negative afatgjata.

“Burgosja e liderëve opozitar në prag të zgjedhjeve është një tregues i qartë se si një regjim demokratik mund të shndërrohet në një regjim autoritar. Drejtësia e politizuar minon themelet e demokracisë dhe krijon një perceptim të rrezikshëm për qytetarët, duke i kthyer ata kundër vlerave evropiane,” u shpreh ai.

Beleri theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së nuk duhet të udhëhiqet nga logjika e Luftës së Ftohtë, por nga parimet e shtetit të së drejtës dhe stabilitetit demokratik. Sipas tij, injorimi i këtyre standardeve do të krijonte një terren të favorshëm për rritjen e euroskepticizmit në rajon.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet politike në Shqipëri dhe raportimet për abuzime me pushtetin janë në fokusin e opinionit publik dhe institucioneve ndërkombëtare. Kritikët e qeverisë aktuale kanë kërkuar më shumë transparencë dhe ndëshkime për abuzimet e raportuara.

Artikulli i mëparshëmNëna e Martin Canit kërkon drejtësi: Askush nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen e djalit tim
Artikulli i radhësEuropol godet klanin “Çopja”: Arrestohen 9 persona, sekuestrohen 27 milionë euro kriptovaluta