Dalin pamjet/ Ekzekutimi me tritol i komandantit rus pranë Kremlinit (VIDEO)

0

Një tjetër operacion i guximshëm i shërbimeve sekrete ukrainase (SBU) ka tronditur Moskën, vetëm 7 kilometra larg Kremlinit. Objektivi i eliminimit ishte Igor Kirillov, komandant i forcave të armëve kimike të ushtrisë ruse, një figurë kyçe në makinerinë ushtarake të Rusisë dhe në luftën kundër Ukrainës.

Ekzekutimi ndodhi përmes shpërthimit të një sasie të vogël tritoli, vendosur në një skuter elektrik pranë hyrjes së banesës së Kirillovit. Ai dhe një bashkëpunëtor i tij humbën jetën në vend, ndërsa shpërthimi nuk la të lënduar të tjerë.

Vetëm 24 orë para sulmit, SBU publikoi një foto të Kirillovit me mbishkrimin “Në kërkim”, duke e akuzuar atë për krime lufte. Sipas Kievit, Kirillov kishte autorizuar përdorimin e kimikateve që helmuan 2,000 ushtarë ukrainas, të cilët përfunduan në spital me simptoma të rënda, të lidhura me përdorimin e kloropicrinës. Ky veprim i përgatitur në detaje është cilësuar nga Kievi si një “sukses shembullor” dhe një demonstrim force ndaj Rusisë.

Detajet e operacionit tregojnë për një nivel të lartë organizimi. Shërbimet sekrete ukrainase kishin mundësuar monitorimin e objektivit nga afër, duke përdorur apartamente me qira pranë vendngjarjes dhe akses në kamerat e sigurisë të zonës, gjë që mund të nënkuptojë bashkëpunim me elementë anti-Putin brenda Rusisë.

Ky sulm vjen pas një serie atentatesh të ngjashme në Moskë: Gusht 2022, Daria Dugina, vajza e ideologut ultranacionalist Alexander Dugin, u vra me një makinë të minuar. Prill 2023, blogeri ushtarak Vladlen Tatarsky u vra nga një pako bombë. Një vit më parë, ish-deputeti ukrainas Ilya Kiva u ekzekutua në Rusi.

Humbja e një figure të rëndësishme si Kirillov ka shkaktuar një tronditje të thellë në establishmentin rus, duke ekspozuar dështimet e sigurisë pranë qendrës së pushtetit. Një analist i Sky News e krahasoi këtë sulm me operacionet e shërbimeve izraelite kundër shkencëtarëve bërthamorë iranianë.

Ky sulm përbën një mesazh të qartë për Kremlinin, duke dëshmuar aftësinë e Ukrainës për të goditur në zemër të Rusisë. Për vetë ukrainasit, të cilët përballen me sulme të përditshme raketore dhe humbje të mëdha njerëzore, ky është një sukses që rrit moralin dhe i dërgon një sinjal të qartë armikut: asgjë nuk është e paprekshme.

Artikulli i mëparshëmPolicia greke shkatërron “Bandën e Mondit”, 8 shqiptarë mes të arrestuarve