Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se ambasada shqiptare në Kiev ka pësuar dëme pas një serie sulmesh ajrore të kryera nga Federata Ruse mëngjesin e sotëm.
Sipas njoftimit, fasada e jashtme dhe disa hapësira të brendshme të ambasadës janë dëmtuar pjesërisht. Gjithashtu, janë prekur edhe ambasadat e pesë vendeve të tjera, duke rrezikuar jetën e personelit diplomatik. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima, por vetëm për dëme materiale.
Ministria dënoi ashpër këtë akt, duke e cilësuar si një sulm ndaj themeleve të diplomacisë ndërkombëtare.
“Ky veprim brutal i Federatës Ruse është një sulm ndaj parimeve bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe duhet të marrë përgjigjen e duhur nga komuniteti ndërkombëtar,” thuhet në deklaratën për mediat.
Kjo ngjarje vjen në një moment të tensionuar për Ukrainën, ku sulmet ajrore kanë intensifikuar pas muajve të fundit të konfliktit.