
Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë duke sugjeruar që Kosova të ndërpresë dialogun bilateral me Serbinë dhe të përqendrohet në një qasje europiane për normalizimin e marrëdhënieve.
“Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim, tanimë të konsoliduar, se Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun me Serbinë dhe të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut me Bashkimin Europian. Është koha që të këputet kërthiza e reciprocitetit nacionalist dhe të lidhet kërthiza e reciprocitetit europianist me BE-në,” deklaroi Rama.
Ai theksoi se Kosova duhet të tregojë përkushtimin e saj ndaj vlerave europiane, jo për hir të Serbisë, por për nder të martirëve, fëmijëve dhe aspiratës për bashkimin kombëtar brenda familjes europiane me kryeqytet Brukselin.
Kjo qasje, sipas tij, do të tregojë në një kohë të shkurtër vullnetin dhe përkatësinë e Kosovës ndaj familjes europiane, duke përmbushur kushtet për normalizimin e marrëdhënieve.