Një sulm terrorist tronditi qytetin Magdeburg të Gjermanisë këtë të premte, kur një makinë BMW e zezë hyri me shpejtësi të lartë në tregun e Krishtlindjeve, duke shkaktuar një bilanc tragjik. Deri më tani, raportohet për 11 viktima dhe 60-80 të plagosur.
Pamjet nga momenti i sulmit, të publikuara në rrjetet sociale, tregojnë panik dhe kaos mes njerëzve që festonin. Ora shënonte 19:04 kur makina goditi turmën, duke mos lënë kohë të mjaftueshme për shumë persona që të largoheshin.
Policia gjermane ka arrestuar autorin, një 50-vjeçar të lindur në Arabinë Saudite, i cili kishte marrë makinën me qira pak para ngjarjes. Sipas raportimeve, të plagosurit u ndihmuan në vendngjarje nga vizitorët dhe ekipet e emergjencës.
Ky incident tragjik kujton një sulm të ngjashëm në Berlin tetë vjet më parë, i cili gjithashtu shkaktoi viktima të shumta. Autoritetet janë në fazën e hetimeve për të sqaruar detajet dhe motivet e sulmit.