Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka qëndruar për gati tre orë në ambientet e SPAK, ku ka dhënë dëshminë e saj lidhur me hetimet për pasurinë e bashkëshortit të saj. Pas përfundimit të dëshmisë, Xoxa shmangu mediat duke mos bërë asnjë koment.
Dëshmia e saj lidhet me hetimin pasuror të nisur ndaj Veliajt dhe vëllait të tij, Arbër Veliaj, për të cilin hetuesit kanë sekuestruar më parë telefona celularë dhe një shumë parash nga zyrat e tyre. Sipas burimeve, Xoxa është paraqitur në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni mbi çështjen.
Ndërkohë, kryebashkiaku Veliaj, i cili gjatë marrjes në pyetje të bashkëshortes qëndroi në zyrën e tij në bashki, është larguar në mënyrë diskrete sapo Xoxa doli nga SPAK. Në pamjet e publikuara nga mediat, Veliaj shihet i veshur komplet me të zeza, me kapuç në kokë dhe një valixhe në duar, duke hipur në automjetin e tij.
Hetimet ndaj Veliajt përfshijnë pasuritë dhe rolin e tij në çështjen e inceneratorit të Tiranës, si dhe kompaninë “5D,” të lidhur me ish-drejtues të Bashkisë. Prokuroria po shqyrton nëse pasuritë e tij dhe veprimet e administratës lidhen me shkelje ligjore.
Ky hetim pritet të hedhë dritë mbi akuzat dhe implikimet e mundshme të kryebashkiakut dhe të afërmve të tij.