Arsimi dhe shëndetësia, dy sektorë kyç për zhvillimin e një kombi, vazhdojnë të vuajnë nënfinancimin e rënduar në Shqipëri. Në një kohë kur emigracioni dhe plakja e popullsisë theksojnë domosdoshmërinë e rritjes së investimeve në këto fusha, ndryshimet në buxhetin e vitit 2024 sjellin shkurtimet më të fundit që rrezikojnë të thellojnë krizën ekzistuese.
Sipas Aktit të tretë normativ, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është ulur me 2.3 miliardë lekë (3%), ndërsa Ministria e Arsimit ka humbur 1 miliard lekë (2%). Kjo ulje buxhetore vjen në një kohë kur financimet për këto sektorë janë në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2019, shpenzimet për arsimin përbënin 11.4% të të ardhurave buxhetore, ndërsa tani kjo përqindje ka zbritur në 7.1%. Një trend i ngjashëm shihet edhe në shëndetësi, ku përqindja e financimeve nga buxheti i përgjithshëm ka rënë nga 10.4% në 9.8%.
Pasojat për të ardhmen
Shkurtimi i fondeve në arsim pritet të ndikojë negativisht në rezultatet e të rinjve, tashmë të prekura sipas raportimeve të fundit të testit PISA. Nga ana tjetër, rritja e sëmundjeve kronike me 5% në vit dhe mungesat e pajisjeve dhe terapive në spitale theksojnë krizën në shëndetësi.
Përballë një situate ku 42% e popullsisë është në rrezik varfërie dhe emigracioni po boshatis vendin nga forca e re punëtore, këto shkurtimet tregojnë një shpërndarje të pabarabartë të burimeve financiare. Shqipëria ka dyfishuar Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe buxhetin në dekadën e fundit, por pa një përmirësim real të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Rishikimi i këtyre prioriteteve mbetet jetik për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe për të frenuar tkurrjen sociale dhe ekonomike të vendit.