SPAK publikon akuza ndaj Veliajt: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie

0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur detaje të reja mbi hetimin kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Hetimi ka identifikuar katër akuza të rënda, të cilat përfshijnë korrupsion pasiv, korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Sipas SPAK, procedimi penal ka nisur mbi bazën e një kallëzimi nga një qytetar i identifikuar si Nesti Angoni.

Akuzat dhe procedimi penal

Në bazë të kallëzimit të datës 8 shkurt 2024, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) referuan informacionet përkatëse në SPAK, që çuan në regjistrimin e Procedimit Penal nr. 27/2024. Akuza fillestare përfshinte “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë,” por hetimi ka zbuluar prova për tri vepra të tjera penale:

Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose vendorë (neni 245 i Kodit Penal).

Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (neni 287/2).

Fshehja ose mosdeklarimi i pasurisë dhe interesave privatë (neni 257/a, paragrafi 2).


Këto akuza tashmë janë përfshirë në regjistrin e njoftimeve pranë SPAK.

Veprimet e deritanishme të hetimit

Në 6 dhjetor, me urdhër të Gjykatës së Posaçme, janë kryer kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së Veliajt dhe në banesën e vëllait të tij. Gjatë këtyre veprimeve, u sekuestrua edhe telefoni celular i kryebashkiakut. SPAK gjithashtu ka nisur një hetim pasuror ndaj Veliajt dhe po heton përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiranës dhe lidhjet e tij me kompaninë “5D,” e cila më parë zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë.

Artikulli i mëparshëmVeliaj flet si “non-grata”/ Akuza të forta SPAK-ut
Artikulli i radhësKonflikti Veliaj-Balluku në PS: akuzat dhe përplasjet e brendshme