I riu gjendet i pajetë në konviktin e shkollës ortodokse në Gjirokastër, dyshohet për vetëvrasje

0

Një 21-vjeçar nga Lushnja, Simon Shollai, është gjetur i pajetë këtë mëngjes në ambientet e konviktit të shkollës ortodokse “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër. I riu kishte qenë më parë student në këtë institucion dhe ishte rikthyer për të kaluar disa ditë.

Sipas burimeve, trupi i pajetë u gjet nga shokët e tij në shtratin e konviktit, ndërsa pranë tij u zbuluan medikamente të dyshuara si antidepresantë. Policia e Gjirokastrës bën me dije se nuk janë konstatuar shenja dhune dhe se hetimet paraprake sugjerojnë mbidozë medikamentesh si shkak të mundshëm të vdekjes.

Deklarata e policisë
“Më datë 16.01.2025, rreth orës 09:55, në tualetet e konviktit të një shkolle private në lagjen ‘11 Janari’, u gjet pa shenja jete shtetasi S. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së ilaçeve që merrte për shkak të depresionit,” thuhet në deklaratën e policisë.

Ekspertiza mjeko-ligjore
Trupi i të ndjerit është transportuar për në morgun e qytetit, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Hetimet vazhdojnë për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe miqtë e të ndjerit, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave të depresionit dhe të kërkojnë ndihmë profesionale për ata që kanë nevojë.

Artikulli i mëparshëm“U bëre bozë para ekranit” – Rama i përgjigjet kritikës për komunikimin në rrjetet sociale
Artikulli i radhësArrestimi i 15 personave në Itali: Si dhëndri i “Diabolik” bashkëpunonte me rrjetet shqiptare të drogës